Media greke zbardh detaje nga axhenda e vizitës së Ramës në Athinë: Vjen i shoqëruar me rreth 150 persona

Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë ditën e nesërme në Athinë takimin me emigrantët shqiptarë në Greqi. Media greke “Protothema” ka zbardhur detaje lidhur me axhendën e takimeve të tij.

Rreth 150 persona do të shoqërojnë kryeministrin e Shqipërisë gjatë vizitës së tij private nesër në Athinë, e cila do të nisë pas mbërritjes së tij në “El.Venizelos” në orën 08:30-9:00 të mëngjesit. Sipas Protothema, Rama do të jetë i shoqëruar nga anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë dhe 50 gazetarë, të cilët do të shkojnë direkt në teatrin në Galatsi.

Fjalimi i tij në Teatrin e Krishtlindjeve do të mbahet rreth orës 11:00, por Edi Rama do të zhvillojë gjatë ditës edhe takime me bashkatdhetarë, anëtarë të partisë së tij dhe biznesmenë, si dhe pritet të shpërndajë broshurat për marrëdhëniet dypalëshe. Pas përfundimit të takimeve, Rama do të pijë kafe me kolegët e tij në Galatsi, ndërsa në orën 18:00-19:00 do të shkojë në aeroport për t’u larguar nga Athina, raporton media greke.

Siç dihet deri tani, takimi me diasporën do të hapet me një koncert ku do të jenë të ftuar këngëtarë shqiptarë. Sakaq pak ditë më parë homologu i Ramës, Kyriakos Mitsotakis e ka cilësuar vizitën e tij si të panevojshme, ndërsa u shpreh se Rama nuk është një i ftuar i qeverisë por gjithsesi ata nuk e ndalojnë dot vizitën e tij.

Duket se vizita e Ramës nuk është fort e rëndësishme për homologun e tij, thënë kjo nga fakti se Mitsotakis nuk do të jetë në Athinë në datë 12 Maj. Sipas mediave turke ai do të udhëtojë të dielën drejt Ankarasë ku pritet të zhvillojë një takim me presidentin turk Erdogan, më 13 Maj.