Detajet/ Jeta e dyfishtë e Roan Brahimit, atentatet dhe pse la Dubain për Athinën

Kanë dalë detaje të reja nga atentati mafioz i mbrëmjes së të enjtes në Greqi i mori jetën 32-vjeçarit shqiptar Roan Brahimi. Ai ndodhej në një automjet së bashku me gruan e tij e cila i shpëtoi mrekullisht breshërisë së plumbave me vetëm disa gërvishtje të lehta për shkak të xhamave. Mediat greke shkruajnë se ai ka marrë dy plumba, njëri prej të cilëve e ka kapur në kokë.

Policia greke ka kërkuar sekuestrimin e pamjeve nga kamerat e sigurisë në zonë, në mënyrë që të shohin nëse janë kapur fytyrat e autorëve. Nga mënyra e ekzekutimit dhe veprimit, dyshohet nga policia greke se autorët mund të kenë qenë vrarës me pagesë. TCH raportoi në një shkrim në faqen online se gruaja që gjendej me të në makinë nuk ishte partnerja e vetme e Brahimit. Veç 37-vjeçares dhe djalit të tyre në Greqi, ai kishte edhe një bashkëshorte tjetër dhe dy fëmijë të tjerë në Shqipëri.

Prej të paktën 2 vitesh Roan Brahimi ishte larguar nga Shqipëria për t’iu fshehur drejtësisë, por edhe hakmarrjes së mundshme nga rivalët. Shkak u bë atentati ndaj mikut të tij të dikurshëm Ylli Brahimi në Milot ku mbeti i vdekur Klisman Peçi. Roan Brahimi i kishte prishur marrëdhëniet me të pasi e akuzonte se e kishte nxjerrë në pritë tek Ervis Martinaj, i cili e ka dhunuar në një nga bazat e tij në Fushë Kuqe. Fillimisht Roani u largua nga Shqipëria duke u strehuar në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Por, kundërshtarët e gjetën mbrëmjen e së enjtes në një lagje në periferi të Athinës ku kishte shkuar për të festuar Pashkën. Autorët thuhet se ishin 2 persona me motor që i janë afruar dhe që e kanë qëlluar për vdekje. Deri më tani pistat e hetimit janë fokusuar tek hakmarrja.

32-vjeçari që njihej edhe me emrin Sidorel Prendi ka precedentë të rrezikshëm kriminalë në Shqipëri. Përplasjet e përgjakshme nisin që në 2014-ën kur në një atentat në Milot u vranë dy kushërinjtë e tij Klodian Ndreca dhe Taulant Prendi dhe u plagos Aurel Prendi.

Në 2020 në lokalin e babait të tij persona të paidentifikuar qëlluan me breshëri plumbash, por pa lënduar askënd. Brahimi u shpall në kërkim nga policia shqiptare në vitin 2021, pasi dyshohej se bashkë me Ramazan Rrajën dhe Alesio Dobrozin hynë të armatosur në një lokal në Zejmen të Lezhës dhe terrorizuan klientët dhe kërkuan pronarin.

Për shkak të dyshimeve për një përplasje me Ervis Martinajn, Roan Brahimi ka qenë i dyshuar edhe për vrasjen e Brilant Martinajt dhe dy të tjerëve më 17 korrik 2022 si edhe për ngjarjen e 5 ditëve më vonë ku u tentua të eliminohej miku i tij i dikurshëm Ylli Brahimi, por u vra Klisman Preçi.

Sipas gazetarit grek Vasili Lampropoulos, pas ngjarjeve në Shqipëri, Brahimi kishte qenë për një kohë të gjatë në Greqi, ndërsa deri para pak kohësh jetonte në Dubai. Përveç këtyre dy shteteve, ai rezulton të ketë kaluar edhe nga Spanja, Italia dhe Franca. Sipas dyshimeve, lëvizjet e tij mund të kenë më shumë të bëjnë me përfshirjen e tij në trafikun e drogës. Sa i përket ekzekutimit, ka dyshime se vrasësit ndiqnin në mënyrë periodike partneren dhe fëmijën e tij në Greqi deri sa arritën të ekzekutonin 32-vjeçarin.