Presidenti Begaj: Drejtësia mban fytyrën e secilit prej jush, mbani pastër sistemin

Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe ai Prokurorisë mbajtën një takim të përbashkët këtë të premte në ditën e drejtësisë. I ftuar në takim ishte dhe presideni Bajram Begaj, i cili në fjalën e tij e vuri theksin tek funksionimi i sistemit të ri të drejtësisë.

Gjatë fjalës së tij, Begaj u kërkoi gjyqtarëve dhe prokurorëve të përmbushin me ndershmëri misionin e tyre për drejtësinë që shqiptarët presin nga sistemi i ri, duke përballuar vështirësitë, presionin dhe përgjegjësinë e lartë.

“Në Ditën Kombëtare të Drejtësisë kam kënaqësi t’ju drejtohem juve, organeve të reja të drejtësisë, në veçanti, SPAK-ut dhe GJKKO-së, për t’ju treguar mbështetjen për përkushtimin, sakrificat dhe punën me profesionalizëm të lartë”, – deklaroi Presidenti Begaj në fjalimin e mbajtur para përfaqësuesve të organeve të drejtësisë.

Kreu i Shtetit kujtoi simbolikën e 10 majit të vitit 1913, kur me Kanunin e Zhurisë u vendosën rregullat e para të shtetit shqiptar, dhe renditi sfidat me të cilat vendi është përballur ndër vite për ndërtimin e një drejtësie të bazuar në parime demokratike.

Sipas Presidentit të Republikës, sot Shqipëria ka një sistem të transformuar të drejtësisë, që shembi kultin e pandëshkueshmërisë falë përpjekjeve të shqiptarëve dhe ndihmës së partnerëve ndërkombëtarë.

“Standardet janë vendosur brenda kornizës së ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore që solli reforma në drejtësi. Çështje parësore tashmë mbetet zbatimi i plotë dhe gjithëpërfshirës i këtyre standardeve me përgjegjësi dhe prioritet. Rezultatet e reformës janë të prekshme. Kurrë më parë nuk ka qenë kaq i fortë perceptimi se drejtësia e ka forcën, kurajën dhe energjinë të punojë, të përballet e të triumfojë kundër krimit. Për herë të parë pas shumë dekadash, kultura e pandëshkueshmërisë është tronditur thellë. Kjo duhet përgëzuar dhe mbështetur”.

Presidenti Begaj vlerësoi se rritja e kapaciteteve profesionale të magjistratëve duhet të jetë në fokus dhe një objektiv afatgjatë e i qëndrueshëm për organet e drejtësisë: “Në këtë drejtim, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Shkolla e Magjistraturës duhet të punojnë për të garantuar standardet profesionale dhe etike të magjistratëve, për të siguruar një proces të rregullt dhe konkurrues, të ngritur mbi bazën e vlerave e meritës gjatë rekrutimeve, emërimeve apo ngritjeve në detyrë. Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë kanë rol themelor në procesin e kontrollit të vazhdueshëm të cilësisë së vendimmarrjes, llogaridhënies, eficencës dhe transparencës së punës së magjistratëve. Së bashku ju garantoni ripërtëritjen e shpejtë të sistemit me magjistratë profesionistë dhe me integritet të lartë”.

Presidenti theksoi edhe përgjegjësinë që kanë përfaqësuesit e drejtësisë së re: “Në veçanti ju, zonja dhe zotërinj, si drejtues të organeve të drejtësisë, duhet të jeni të vetëdijshëm se drejtësia e re nuk është anonime! Ajo mban fytyrën, paanësinë, pastërtinë morale dhe ndershmërinë profesionale të secilit prej jush. Sistemi është juaji. Mbajeni të pastër atë”

Duke theksuar të drejtat themelore kushtetuese të çdo qytetari, Presidenti i Republikës i kujtoi trupës gjyqësore rëndësinë që vendimmarrja e tyre ka për shqiptarët dhe funksionimin e një shoqërie të drejtë dhe demokratike. Ai bëri apel për pavarësi, transparencë e llogaridhënie, për sigurimin e aksesit të shpejtë dhe efektiv të qytetarëve në drejtësi, si edhe garantimin e një procesi të rregullt ligjor.

“Nuk duhet të harrojmë se perceptimi i vërtetë i qytetarëve mbi pavarësinë dhe efikasitetin e drejtësisë matet me përvojën personale të gjithsecilit. Ndaj, pavarësia duhet të shoqërohet me transparencë dhe llogaridhënie. Drejtësia duhet të jetë funksionale në praktikë dhe jo thjesht të parashikohet në instrumente ligjore”, – deklaroi Presidenti i Republikës, i cili inkurajoi gjyqtarët dhe prokurorët në këtë mision duke i siguruar se ka mundësi për zgjidhjen e çdo sfide: “Nëse ju nevojitet ndihma apo mbështetja e institucioneve të tjera për të përmbushur misionin tuaj, mos hezitoni të kërkoni me forcë atë!”