Mosrealizimi i votës së diasporës, PD-ja zyrtare kallëzon në SPAK Lindita Nikollën

Partia Demokratike zyrtare përmes sekretarit të përgjithshëm Enkelejd Alibeaj ka kallëzuar në SPAK kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikollën për pengim të ekzekutimit të vendimit të gjykatës kushtetuese dhe shpërdorim detyre sa i përket votës së diasporës.

Sipas tij, Nikolla ka penguar ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të drejtën e emigrantëve për të votuar.

“Shkas fillestar i këtij kallëzimi, është fakti se Gjykata Kushtetuese, ka emetuar një vendim të saj, me numër 38 datë 09.12.2022. Në dispozitivin e këtij vendimi, në pikat 2 dhe 3. Gjykata ka vendosur: 2. Konstatimin e cenimit të së drejtës kushtetuese të votës së emigrantëve në zgjedhjet për Kuvendin, për shkak të boshllëkut ligjor. 3. Detyrimin e Kuvendit për plotësimin e boshllëkut ligjor brenda një viti. Kështu pra, rezulton se mbi Kuvendin e Shqipërisë, në cilësinë e organit publik (palë ndërgjyqëse në atë gjykim) të ngarkuar drejpërdrejt me vendimin e Gjykatës Kushtetuese numër 38, datë 09.12.2022, rëndon detyrimi për zbatimin e këtij vendimi, brenda një afati 1 vjeçar nga data e hyrjes në fuqi të vetë vendimit (dita e fundit e përmbushjes së afatit 1 vjeçar daton më 12.01.2023)”, thuhet në kallëzim.