Dita e Europës/ Bardhi: Integrimi i vendit është vonuar 11 vjet nga keqqeverisja e Edi Ramës

Kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi ka reaguar në Ditën e Europës. Ai tha se ky është momenti i duhur për të reflektuar pse populli më proeuropian në Europë vazhdon ende të mos jetë pjesë e familjes europiane.

Reagimi:
Në Ditën e Europës është momenti i duhur për të reflektuar të gjithë bashkë pse populli më proeuropian në Europë vazhdon ende të mos jetë pjesë e familjes europiane, 34 vjet pasi regjimi komunist u mposhtë me thirrjet “Për Shqipërinë si gjithë Europa”.

Fatkeqësisht, integrimi europian i Shqipërisë është vonuar 11 vjet nga keqqeverisja e Edi Ramës, mungesa e reformave serioze shtetëformuese dhe shndërrimi i korrupsionit, jo thjesht në fenomen të përhapur, por në model sjellje të çdo sektori qeverisës. Por Shqipëria nuk ka më kohë për të humbur me Edi Ramën.

Integrimi europian i vendit është prioritet kombëtar, që duhet të bëjë bashkë demokratë, socialistë të ndershëm apo qytetarë të paangazhuar, të cilët duan vërtetë që ky vend, i bekuar nga Zoti, të mos ndëshkohet nga papërgjegjshmëria e politikanëve të korruptuar. Janë këta politikanë si Edi Rama, që duan të mbajnë peng integrimin europian të vendit, siç ka ndodhur në këto 11 vjet keqqeverisje dhe, siç në fakt, ka ndodhur në shumë vende ku liderë autokratë të korruptuar e kanë parë integrimin në BE si rrezik të pushtetit të tyre të pamerituar, që është ndërtuar duke rrënuar mirëqenien e qytetarëve të tyre. Mbështetja pa kushte ndaj çdo reforme që kërkon Bashkimi Europian, nuk duhet të jetë as e imponuar, as e shtirur, por duhet të udhëhiqet nga aspirata e popullit shqiptar për Shqipërinë europiane.