... Nami.al

Ish-aktorja e filmave për të rritur dëshmon në gjyq si Trump e çoi në shtrat

Ish-presidenti amerikan Donald Trump u rikthye të martën në gjyqin penal ndaj tij në Nju Jork, ndërsa përballet edhe me mundësinë e ndëshkimit me burg pasi vazhdoi të shkelë urdhrin për të mos bërë komente për dëshmitarët. Prokurorët thirrën sot si dëshmitare ish aktoren e filmave pornografikë Stormy Daniels.

Zonja Daniels hyri me hapa të vendosur në sallën e gjyqit dhe bëri betimin. Ajo nuk u ndal për të parë drejt zotit Trump, i cili mbante vështrimin drejt ndërsa ajo hyri në sallë. Më herët, ish-presidenti Trump u shpreh se ishte njoftuar “vetëm në minutën e fundit” se kush do të ishte dëshmitarja e sotme dhe u ankua me një mesazh në rrjetin social Truth Social se duhej të ishte njoftuar më herët. Më pas ai e fshiu postimin.

Në fillimet e dëshmisë së saj, zonja Daniels u tha anëtarëve të jurisë se e kishte takuar zotin Trump pasi studioja e filmave me të cilën punonte në atë kohë, ishte një ndër sponsorizuesit e turit të golfit. Ata biseduan rreth industrisë së filmave për të rritur dhe aftësitë e saj si producente tyre. Ajo tha se zoti Trump pati vlerësuar zgjuarsinë e saj për të patur sukses në këtë fushë.

Më pas në një mjedis të njohur si “salla e dhuratave”, ku lojtarët e golfit merrnin dhuratat e tyre, zoti Trump e pati pyetur nëse donte të dilnin së bashku për darkë, tha zonja Daniels. Ajo tha se e pranoi ftesën për t’iu shmangur një angazhimi të mëparshëm me kolegët e saj. Zonja Daniels shtoi se botuesi i filmave të saj gjithashtu e pati inkurajuar me telefon që të dilte për darkë, pasi ndoshta mund ta ndihmonte për karrierën e saj. Zonja Daniels tha se marrëdhënia seksuale ndodhi pas darkës, në suitën e zotit Trump në hotel.

Prokurorët dhe avokatët patën shkëmbime në fillim të dëshmisë së saj. Një avokate e zotit Trump, Susan Necheles, madje kërkoi që zonjës Daniels t’i ndalohej të dëshmonte rreth detajeve të marrëdhënies seksuale. Prokurori u kundërpërgjigj se detajet kishin të bënin me besueshmërinë e saj, por ofroi garanci se do të ishin të nivelit bazë. Gjykatësi Juan M. Merchan lejoi vazhdimin e dëshmisë.

Në javët e fundit të fushatës së tij për zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, ish-avokati dhe ish-ndërmjetësi i tij politik Michael Cohen, i pagoi zonjës Daniels 130 mijë dollarë që ajo të mos fliste për atë që ajo e ka përshkruar si një marrëdhënie seksuale të papritur dhe të çuditshme me zotin Trump gjatë turit të golfit në zonën e Liqenit Tahoe, në Kaliforni në korrik të vitit 2006. Zoti Trump mohon të ketë patur marrëdhënie me zonjën Daniels.

Dëshmia e zonjës Daniels, ishte një moment i shumëpritur në këtë proces gjyqësor, gjatë të cilit është folur, që nga aspekte të përshtatshme për t’u botuar vetëm në revista tabloide, e deri tek detajet e procesit të kontabilitetit. Ulja e saj në bankën e dëshmitarëve është një moment i rëndësishëm ligjor dhe politik. Dëshmia në një sallë gjyqi nga një aktore e filmave për të rritur për një lidhje intime që ajo ka patur me një ish-president amerikan, i shtohet gjërave të shumta që janë bërë për herë të parë në historinë amerikane në këtë proces gjyqësor.

Zoti Trump dhe ekipi i tij elektoral po përpiqeshin të minimizonin pasojat nga bërja publike më 7 tetor 2016, i një audio-regjistrimi të tij, të vitit 2005, ku ai dëgjohet të mburret për prekje të grave pa leje. Të nesërmen ai bisedoi me telefon me zotin Cohen dhe me sekretaren e shtypit të fushatës elektorale Hope Hicks, ndërsa ata përpiqeshin të minimizonin dëmin nga regjistrimi dhe t’i mbanin jashtë vëmendjes së shtypit marrëdhëniet e tij të aluduara.

Zoti Cohen bëri pagesën për zonjën Daniels, pasi avokati i saj në atë kohë, Keith Davidson sinjalizoi se ajo do të fliste për revistën tabloide “National Enquirer”, ose me një kanal televiziv, për të konfirmuar se ka patur marrëdhënie seksuale me zotin Trump. Kryeredaktori i revistës, Dylan Howard, informoi për këtë botuesin David Pecker. Botuesi Pecker i tha atij të informonte zotin Cohen, se zonja Daniels po kërkonte të dilte publikisht me pretendimin e saj, sipas prokurorëve. Zonja Daniels ishte përpjekur më herët në vitin 2011 që t’ia shiste të drejtat për historinë e saj një tjetër reviste, “Life & Style”.

Zoti Pecker tha gjatë dëshmisë së tij më herët në procesin gjyqësor se pati refuzuar që pagesat për zonjën Daniels t’i bënte revista e tij. Pagesat u bënë më pas nga zoti Cohen.

Të hënën, juria dëgjoi dy dëshmitarë të tjerë, ndër ta edhe ish-kryellogaritarin e Organizatës Trump, të cilët ofruan një përshkrim të mënyrës se si kompania bënte rimbursimin për pagesat që synonin të ndalnin bërjen publike të historive të dëmshme për zotin Trump. Në vazhdim, kompania i regjistronte ato si shpenzime ligjore, në një mënyrë që prokurorët e Manhatanit thonë se shkelte ligjin.

Dëshmia e ish-kryellogaritarit Jeffrey McConney shërbeu si një element i rëndësishëm për prokurorët që përpiqen të paraqesin atë që e quajnë një kamuflim nga kompania i pagesave për të mbrojtur kandidaturën për president të zotit Trump në një moment jetik të garës elektorale. Dëshmia e tij u përqëndrua tek pagesa 130 mijë dollarëshe nga zoti Cohen për zonjën Daniels dhe rimbursimi që zoti Cohen mori më pas.

Zoti McConney dhe dëshmitarë të tjerë deklaruan se çeqet e rimbursimit u paguan me fonde të tërhequra nga llogaria personale e zotit Trump. Sidoqoftë, në provat dhe dokumentet që iu paraqitën anëtarëve të jurisë të hënën, nuk tregohet se ishte zoti Trump ai që pati udhëzuar që pagesat të regjistroheshin si shpenzime ligjore, veprim për të cilin prokurorët thonë se ishte një mashtrim i qëllimshëm.

Zoti McConney pranoi gjatë marrjes në pyetje nga pala mbrojtëse se zoti Trump nuk i kërkoi ndonjëherë që t’i regjistronte pagesat si shpenzime ligjore dhe se nuk e diskutoi ndonjëherë këtë çështje me të. Një tjetër dëshmitare, Deborah Tarasoff, e cila mbikëqyrte pagesat e bëra nga Organizata Trump, tha se nuk kishte marrë leje nga vetë zoti Trump për të lëshuar çeqet në fjalë.

“Nuk pate ndonjëherë ndonjë arsye për të besuar se presidenti Trump po fshihte ndonjë gjë, apo diçka të ngjashme me këtë?”, e pyeti atë avokati i zotit Trump, Todd Blanche. “E saktë”, u përgjigj zonja Tarasoff.

Në një zhvillim tjetër gjatë seancës së djeshme, gjykatësi Juan M. Merchan e paralajmëroi prerazi zotin Trump se shkeljet e mëtejshme të urdhrave të gjykatës mund të sillnin ndëshkim me burg. Zoti Trump është urdhëruar të mos bëjë komente kundër dëshmitarëve, anëtarëve të jurisë dhe personave të tjerë të përfshirë me këtë çështje gjyqësore.

Gjykatësi Merchan i vendosi të hënën zotit Trump një tjetër gjobë prej 1 mijë dollarësh për shkeljen e urdhrit të gjykatës. Javën e kaluar, ai i dha 9 mijë dollarë gjoba për shkeljen 9 herë të urdhrit dhe pranoi se ndëshkimi është tepër i vogël për një miliarder si zoti Trump.

Zoti Trump i ka mohuar akuzat për marrëdhënie me zonjën Daniels, por nëse gjendet fajtor mund të dënohet me kusht, apo deri edhe në katër vite burgim. Ai është kandidati i pritshëm për president i Partisë Republikane për zgjedhjet që mbahen në 5 nëntor. /Marrë nga VOA