DASH: Eskobar nuk është shkarkuar, do të jetë në një detyrë tjetër

Departamenti Amerikan i Shtetit ka hedhur poshtë deklaratat e gazetarit Vudi Xhymshiti, i cili pretendon se Zv.Ndihmës Sekretari Gabriel Escobar është shkarkuar nga posti i tij, për shkak të lidhjeve me qeverinë serbe. Një zëdhënës i Departamentit Amerikan i Shtetit ka konfirmuar për Euronews Albania se Escobar nuk është shkarkuar nga detyra, por do të ketë një detyre tjetër diplomatike, ashtu si ndodh me të gjithë zyrtarët e karrierës.

“Zv. Ndihmës Sekretari Gabriel Escobar nuk është shkarkuar nga posti i tij. Të gjithë zyrtarët e karrierës të Shërbimit të Jashtëm marrin detyra me rotacion çdo një deri në katër vjet si pjesë e një praktike të rregullt. Si zyrtar i Shërbimit të Huaj, Zv. Ndihmës Sekretari Escobar ka shërbyer në rolin e tij të tanishëm për tre vite dhe ka ardhur koha për kalimin në detyrën e radhës në javët e ardhshme. Deri në transferimin e planifikuar, ai vazhdon të luajë rolin e Zv. Ndihmës Sekretarit dhe i Dërguar i Posaçëm në zyrën e çështjeve të Euro-Azisë dhe si i dërguar i posaçëm për çështje të Ballkanit Perëndimor.’’

Gjithashtu Departamenti Amerikan i Shtetit i quan të pavërteta deklaratat e gazetarit Vudi Xhymshiti për familjarët e të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor të ketë marrë fonde nga Serbia.

‘’Pavarësisht pretendimeve të zotit Xhymshiti për të kundërtën, bashkëshortja e Zv. Ndihmës Sekretarit të Escobar nuk ka marrë kurrë fonde nga Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë. Po ashtu, Zv. Ndihmës Sekretari Escobar nuk ka asnjë lidhje familjare me partnerin e pretenduar në firmën ligjore të Teksasit McGinnis Lochridge LLP”,-thuhet në reagimin e DASH.

Uashingtoni është në të njëjtën linjë me partnerët evropianë dhe do të vazhdojë të luajë rol aktiv në përkrahje të dialogut, thuhet nga zëdhënësi i Departamentit të Shteti, ndërsa nënvizohet fakti se SHBA mbështesin me forcë Dialogun e Lehtësuar nga BE si rruga për të arritur një marrëdhënie paqësore dhe produktive midis Kosovës dhe Serbisë.