Kina nis misionin/ Do sjellë në Tokë mostra nga ana e fshehtë e Hënës

Kina kthehet në Hënë. Ka nisur misioni ambicioz “Chang’e 6”, i cili synon të arrijë në polin jugor dhe të sjellë në tokë për herë të parë mostrat dheu nga ana e fshehur e satelitit tonë. Raketa u lëshua nga porti kozmik Wenchang në provincën ishullore të Hainan. Misioni i cili, si të gjithë të mëparshmit, ka marrë emrin nga hyjnia “Chang’e”, do të zgjasë gjithsej 53 ditë. Sapo u nis, “Chang’e 6” filloi zyrtarisht udhëtimin e tij për në Hënë, i cili do të zgjasë disa ditë, por vetëm pasi të ketë përfunduar një seri orbitash gjithnjë e më të mëdha rreth Tokës.

Zbarkimi në hënë pritet të bëhet në kraterin Apollo, një krater i madh që zë pjesën më të madhe të rajonit polar dhe që vlerësohet të jetë formuar pas një goditjeje të dhunshme nga një meteorit i madh rreth 4 miliardë vjet më parë. Pikërisht për këtë arsye, mostrat e dheut nga kjo zonë janë veçanërisht interesante për të kuptuar më mirë disa pyetje ende misterioze në lidhje me origjinën e satelitit tonë.

Pasi të zbarkojë, sonda do të përdorë një teknologji inovative që do të përpiqet të mbledhë mostra deri në dy metra të thella, ndërsa sateliti Queqiao-2 i nisur në mars 2024 do të lejojë komunikimin, falë diametrit të tij të fuqishëm parabolik 4.2 metra një lloj lidhjeje radio me anën e fshehur të satelitit tonë.
Materialet e mbledhura më pas do të transferohen në bordin e modulit të ngjitjes, i cili do të largohet për t’u ribashkuar me modulin e rihyrjes që pret në orbitë. Pasi të përfundojë manovra, moduli do të kthehet drejt Tokës për të sjellë mostrat, me shpresë rreth dy kilogramë.

Pas suksesit të misionit “Chang’e 5” i cili në vitin 2020 arriti në Hënë dhe solli 1.7 kilogramë mostra të tokës hënore në Tokë, Kina synon të përsërisë misionin, por këtë herë duke i vënë vetes një objektiv edhe më ambicioz: arritjen e anës së fshehur të Hënës, vendi i konsideruar nga më interesantët.