Fenerbahce humbet, tifozët futen në parket, tentojnë të rrahin basketbollistët e Monaco

Një betejë, si pothuajse të gjitha ndeshjet e këtyre playoff-eve fantastike të Euroligës së basketbollit. Mes Fenerbahce dhe Monaco gjithçka u vendos në finale, me suksesin 65-62 në favor të skuadrës së principatës, që e çoi serinë në 2-2 e për rrjedhojë në ndeshjen 5. Por pas sirenës në Ulker Sports Arena shpërtheu ferri.

Dy lojtarë të Monaco (Diallo dhe Blossongame) festuan disi në mënyrë të ekzagjeruar në fytyrat e tifozëve turq, të cilët pa e zgjatur fare pushtuan parketin dhe ranë në kontakt me lojtarët kundërshtarë. Shpërtheu një rrëmujë e madhe, në të cilën shihet trajneri i francezëve Sasha Obradovic duke kapur lojtarët e tij, duke u përpjekur t’i distancojë ata nga tifozët e Fenerbahce nën vështrimin mosbesues të lojtarëve vendas që i shikonin si të paralizuar. Ndër më nervozët është Mike James, në anën tjetër të fushës, i cili mezi mbahet nga shokët e tij, ndërsa objektet fillojnë të bien shi nga tribuna.

Me shumë vështirësi lojtarët e Monaco arritën në tunelin që të çon në dhomat e zhveshjes. Ndërkohë që nga tribuna fluturon në fushë pothuajse gjithcka, skuadra e Monte Carlos më në fund arriti të jetë e sigurtë në një atmosferë tensioni të madh.

Në fund të ndeshjes foli edhe Saras Jasikevicius, trajneri i skuadrës turke: “I kërkojmë falje Monaco dhe Euroligës për atë që ndodhi pas ndeshjes. Ky nuk është Fener, këta nuk jemi ne”.