Dorë e rusëve? Zjarr masiv në fabrikën e Berlinit që prodhon armë për Ukrainën

Një fabrikë kimike e kompanisë industriale e quajtur “Diehl Metal” në Berlin të Gjermanisë, e cila prodhon raketa ajrore IRIS-T për Ukrainën është përfshirë nga flakët këtë të premte, duke shkaktuar një re të madhe tymi.

Autoritetet vendase kanë lëshuar një paralajmërim për rrezikun dhe u kanë kërkuar banorëve të qëndrojnë larg zonës pasi reja e tymit tashmë po shtrihet në pothuajse të gjithë zonën perëndimore të qytetit. Zyrtarët thanë se në zonë është shpërndarë cianid bakri dhe acid sulfurik, substanca të rrezikshme për shëndetin.

Megjithatë kompania tha se në ajër nuk kishte asgjë të rrezikshme për momentin. Kimikatet e përmendura mbaheshin vetëm në sasi të vogla në fabrikë, tha zëdhënësi i saj. Për shuarjen e flakëve janë mobilizuar 170 zjarrfikëse. Zjarrfikësit janë duke ndërhyrë nga jashtë, me kostume mbrojtëse speciale.

Vendi është evakuuar plotësisht dhe deri tani nuk raportohet për të lënduar në mesin e punonjësve të fabrikës. Vetëm një zjarrfikës ka pësuar lëndime për shkak të nxehtësisë së madhe të shkaktuar nga zjarri. Një shkollë aty pranë u mbyll. Diehl Group është një kompani e madhe armësh që furnizon gjithashtu armë Ukrainën.

Kjo ka ngjallur spekulime në media dhe rrjete sociale se mund bëhet fjalë për një akt kabotazhi nga rusët. Megjithatë, zëdhënësi i kompanisë tha se në fabrikën e Berlinit nuk është prodhuar asnjë pajisje ushtarake.

Policia në Berlin nuk ka dhënë ende asnjë informacion për shkakun e zjarrit. Flakët u përhapën që në mëngjes. Një dhomë teknike në katin e parë të një ndërtese është djegur plotësisht. Në orët në vijim, zjarri u përhap në të gjithë ndërtesën e cila u shkrumbua. Disa pjesë të ndërtesës u shembën.