“84-vjeçari u gjet në oborr, bashkëshortja në banesë”/ Detaje nga Dropulli: Pse vdiqën dy të moshuarit

Gjirokastra është tronditur nga një ngjarje e rëndë këtë të enjte. Çifti i të moshuarve Kosta Ilia 84 vjeç dhe Kleoniqi Ilia 88 vjeçe janë gjetur të pajetë dhe me shenja dhune në trup, në fshatin Bodrishtë të Bashkisë Dropull.

Trupat e tyre të pajetë u pikasën nga fqinjët, të cilët më pas njoftuan edhe policinë. Gazetarja Kristina Fidhi ka sjellë detaje nga vendngjarja për “Shqipëria LIVE”, teksa ka raportuar se e moshuara 88-vjeçare u gjet e pajetë në banesë, ndërsa 84-vjeçari u gjet i vdekur në oborr me një plagë pas koke.

Ajo tha se fillimisht u mendua se ishte grabitje, por nuk është gjetur asnjë element për ta mbështetur këtë hipotezë, dhe është përjashtuar pista e grabitjes me dhunë. Policia ka bërë me dije se dyert apo dritaret e banesës së çiftit të të moshuarve nuk kanë pasur dëmtime, dhe në brendësi nuk ka pasur rrëmujë apo çrregullime të orendive. Për këtë arsye, dyshimet e para janë se mund të jetë kryer një krim në familje.

Sipas banorëve të fshatit, i moshuari gjatë viteve të fundit kurohej për probleme me shëndetin mendor.

“Pritet të dalin trupat pasi janë kryer hetimet paraprake. Fillimisht u mendua se kemi të bëjmë me një grabitje, zonë ku këto ngjarje janë të shpeshta pasi është fshat i izoluar dhe jetojnë shumë të moshuar të vetmuar. Por nuk janë gjetur shenja grabitjeje, pasi në shtëpi nuk mungonte asgjë, e as paratë. Alarmi për ta është dhënë nga motra e të moshuarës, e cila nuk jeton këtu. Ata nuk kanë fëmijë, kanë vetëm motra dhe vëllezër. Fqinjët kanë gjetur derën e banesës të mbyllur dhe kanë hyrë nga muri. Aty në oborr kanë gjetur të moshuarin të goditur pas koke, ndërsa brenda në shtëpi ishte bashkëshortja e tij e pajetë, me shenja dhune në trup. I moshuari ishte parë për herë të fundit nga një fqinj, pasi ai kishte shkuar i kërkonte aparati ne tensionit. Raportohet se gjatë viteve të fundit, Kosta Ilia kishte probleme me shëndetin mendor dhe merrte mjekim, pritet konfirmim zyrtar për këtë. Dyshohet se mund të jenë konfliktuar, kanë pasur debate të dy të moshuarit që janë dëgjuar dhe nga fqinjët, prandaj mund të kenë dhunuar njëri-tjetrin. Motra ka folur me ta dy ditë më parë dhe dje ka tentuar të komunikojë por nuk ka mundur.“- tha gazetarja.