Tritoli ndaj gjyqtarit, policia 30 mijë euro shpërblim për këdo që jep informacion

Policia ka vendosur një shpërblim prej 30 mijë eurosh për këdo që do të japë informacion të vlefshëm që mund të çojë në identifikimin dhe kapjen e autorit që vendosi lëndën plasëse në banesën e gjyqtarit Tonin Sterkaj, në orët e para të mëngjesit të së dielës.

Përmes një komunikate për media, policia e Shkodrës bën me dije se hetimet në lidhje me rastin vijojnë dhe është ngritur një grup pune me ekspertët më të mirë për të bërë zbardhjen e plotë të ngjarjes. Ftohet çdo qytetar që mund të ketë informacion ta dërgojë atë në numrin 069 41 05 436.

“Grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, ka kryer një sërë veprimesh hetimore dhe procedurale, si dhe vijon punën intensivisht, për administrimin e çdo prove që do t’i shërbejë identifikimit të autorit/ëve, zbardhjes dhe dokumentimin të rrethanave të ngjarjes.

Krahas veprimeve intensive të grupit hetimor, Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e shtetasit që shfaqet në pamjet filmike të sekuestruara.

Për çdo informacion të vlefshëm që do t’i shërbejë hetimit, me qëllim identifikimin e autorit/ëve të rastit, DVP Shkodër vë në dispozicion shpërblimin 30 000 euro.

Kushdo që ka informacion duhet ta dërgojë në numrin 069 41 05 436. Policia e Shtetit iu garanton anonimat të sigurtë.

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër siguron qytetarët se është maksimalisht e angazhuar për të garantuar rend dhe siguri publike”, thuhet në njoftimin e policisë.