“Ik, po të q… motrën”/ Si po abuzohet me paratë e rindërtimit! Firmat e tenderit 20 mln euro, nuk i japin paratë…

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së martës mënyrën si abuzohet me paratë e rindërtimit. Fondi Shqiptar i Zhvillimit hapi një tender 20 milionë euro në vitin 2020, ku u shpallën fitues një bashkim operatorësh.

Në dokumentet e tenderit ishin edhe të gjitha vlerat e rindërtimit të banesave 1+1, 2+1 dhe 3+1, ku e para kushtonte 20 mijë euro, e dyta 25 dhe e treta rreth 30 mijë euro. Ndërkohë, firmat që fituan tenderin e madh e “shitën” këtë procedurë te nënkontraktorët, madje nuk njoftuan as autoritetin kontraktues, që ishte në këtë rast FSHZH-ja.

Kushti ishte që çdo nën kontratë të merrte miratimin më parë te ky autoritet. Këto firma jo vetëm që s’e bënë, por as nuk i japin paratë këtyre nënkontraktorëve, megjithëse janë likuiduar 100 % nga Fondi.

Në redaksinë e emisionit Fiks Fare u ankua Ledion Xhymerti, i cili bashkë me të gjithë familjen babanë, nënën dhe motrën, janë persona fizik dhe kanë punuar për rindërtimin e banesave në Manzë të Durrësit. Ai thotë se e ka kontraktuar një firmë fituese e procedurës, me administrator z. Vladimir Gjici.

“Kemi bërë 15 banesa këtu në Shkallë të Manzës. Janë mbaruar prej 2 vitesh, janë kolauduar dhe banorët janë futur brenda. S’ka asnjë ankesë dhe firma që fitoi tenderin është likuiduar. Kurse unë nuk jam likuiduar nga firma fituese, më ka akoma edhe 75 mijë euro” tregon ai.

Fiks Fare ka mësuar se ndërtimi i këtyre banesave në Manzë të Durrësit është bërë me një tender nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Sipas dokumentit, në muajin shtator të vitit 2020, FSHZH-ja finalizoi tenderin me objekt; “Rindërtimin e 743 banesave individuale, ndërtimin dhe rikonstruksionin e infrastrukturës publike dhe çdo ndërhyrje tjetër në funksion të tyre”. Fondi limit i kësaj procedure ishte plot 2 miliardë lekë, ose rreth 20 milionë euro pa TVSH. Fitues u shpall një bashkim operatorësh, i përbërë nga 4 firma, të cilat ofruan një vlerë afër fondit limit. Në dokumentet shoqëruese të tenderit ishin edhe vlerat për ndërtimin e shtëpive; Ndërtimi i një banese 1 + 1 kushtonte 20 mijë euro. 2+1 kushtonte 25 mijë euro dhe 3 + 1 kushtonte rreth 30 mijë euro, pa TVSH.

Por, nënkontraktori Ledion Xhymerti ka bërë një kontratë me fituesin e tenderit. Në këtë kontratë ajo që bie në sy është se nënkontraktori i ndërtoi këto banesa me çmime shumë herë më të lira sesa çmimet e vendosura nga Fondi i Zhvillimit. Banesa 1+1 u ndërtua për 17 mijë euro nga 20 mijë që ishte nga FSHZH-ja, 2+1 për 20 mijë euro (nga 25 mijë) dhe 3+1 me vlerë 25 mijë euro (nga 30 mijë në letrat e Fondit). “Mua s’më intereson sa i ka marrë ajo firmë. Ja ku është edhe dokumenti sa i kam marrë unë. Unë dua vetëm paratë e mia, asnjë gjë tjetër” pohon Ledioni.

Ai thotë se, bashkë me motrën, ka shkuar disa herë te firma që ka fituar këtë tender në Tiranë, por janë kërcënuar, sharë dhe nxjerrë me forcë nga zyrat. Madje, këto biseda ai i ka regjistruar. Në këto biseda, motra e denoncuesit i kërkon shpjegime administratorit se përse nuk i jep paratë, pasi i kanë ndërtuar. Fillimisht, ai i thotë se do të shohë letrat dhe vetëm e sorollat. Por, kur në moment denoncuesja i kërkon llogari sërish, ai përplas tavolinën dhe e ofendon. “Ik, se do të q… motrën. Ik, ik largohu” i drejtohet ai me një ton të lartë, duke tentuar ta nxjerrë nga zyra. Denoncuesja takon edhe ekonomisten e firmës, e cila i thotë se informacionin duhet ta marrë nga administratori dhe jo nga ajo.

Pas këtyre përgjigjeve, Fiks Fare iu drejtua me një kërkesë për informacion Fondit Shqiptar të Zhvillimit. “Rindërtimi i banesave individuale në zonat e prekura nga tërmeti është realizuar sipas projekteve model të ndërtimit. Këto projekte model i janë nënshtruar oponencës teknike dhe janë miratuar nga Instituti i Ndërtimit. Familjet me deri në 2 anëtarë kanë përfituar banesa të tipologjisë 1+1, kosto fikse e ndërtimit të së cilës është 2 095 000 Lekë pa TVSH; familjet me 2–4 anëtarë kanë përfituar banesa të tipologjisë 1+2 me, kosto e ndërtimit të së cilës është 2 470 000 Lekë pa TVSH; familjet me 5 ose më shumë anëtarë kanë përfituar banesa të tipologjisë 1+3, me kosto ndërtimi 3 090 000 Lekë pa TVSH” thotë Fondit.

Fiksi e pyeti FSHZH-në nëse është zbatuar kontrata 20 milionë euro dhe a janë likuiduar firmat fituese? Dhe, a ka detyrime Fondi ndaj operatorëve fitues të tenderit? “Në vijim të zbatimit të Programit të Rindërtimit, pas përfundimit me sukses të procedurës tenderuese, mes Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Bashkimit të Operatorëve Ekonomikë, është lidhur kontrata, për rindërtimin e banesave individuale, ndërtimin dhe rikonstruksionin e infrastrukturës publike dhe çdo ndërhyrje tjetër në funksion të tyre. Kjo kontratë është zbatuar nga B.O.E dhe FSHZH nuk ka detyrime të palikujduara për këtë kontratë. Objektet e përfunduara janë në periudhë garancie”, ishte përgjigjja e saj.

FSHZH thotë se i ka likujduar plotësisht këto firma. Por, a është njoftuar Fondi se firmat fituese morën nënkontraktorë? “Kontraktori mund të nënkontraktojë procese të punës tek palët e treta me kusht që të marrë miratimin e autoritetit përgjegjës në lidhje me nënkontraktorin, si dhe kushtet e pagesës së tij në avancë. Kërkesa mund të bëhet në fazën e tenderimit ose gjatë zbatimit të kontratës. Në rastin që ju referoni, pranë FSHZH nuk rezulton kërkesë nga B.O.E”, përfundon Fondi.

Firmat fituese të tenderit 20 milionë euro e kishin si kusht të deklaronin nënkontraktorët të Fondi i Zhvillimit. Por, jo vetëm që nuk e bënë, duke shkelur këtë kontratë, por as nuk i paguajnë!

***

Denoncuesja takon administratorin e firmës fituese të tenderit

Denoncuesja – Dy minuta të flasim pak?!

Administratori – Jo, s’kam kohë!

Denoncuesja – Pse?

Administratori – S’kam kohë.

Denoncuesja – Po mua më thanë hajde, se fola me Majlindën (ekonomisten e firmës) në telefon.

Administratori – Fol me Majlindën.

Denoncuesja – Të vish të flasësh me Ladin më tha!

Administratori – Po mirë shko te Majlinda.

Denoncuesja – S’është se unë bëra ndonjë gjë kushedi të madhe. Thjesht doja një përgjigje të vogël. Ato lekët, kur t’i keni mundësinë, s’i ta keni, se si njerëz po ua kërkojmë …

Administratori – Po ik o goce, s’e të kam thënë kur të marrë Majlinda!

Denoncuesja – Po më mori Majlinda në telefon. Më tha hajdeni në një moment të dytë. Dhe erdha në një moment të dytë, nuk ju lashë hapësirë?

Administratori – Në një moment të dytë do të thotë kur unë jam i disponueshëm, kam punët e mia.

Denoncuesja – Çfarë do të kushtojë të më japësh një përgjigje të vogël.

Administratori – S’është përgjigje, s’kam përgjigje! Jo s’e dua të shoh letrat unë pastaj të jap përgjigje, pa letrat …

Denoncuesja – Po letrat gjithë kjo javë, që isha para 2-3 javësh nuk i patë, përderisa mua më mori Majlinda në telefon hajde në një moment të dytë?! Dhe unë erdha në një moment të dytë. Di duhet t’i kesh parë letrat deri tani se unë për hall kam ardhur e shkreta, se s’kam ardhur për qejf.

Administratori – Ti tani më jep urdhër mua?

Denoncuesja – S’po të jap urdhër, unë thjesht dua një përgjigje.

Administratori – Një përgjigje të thirret ajo …

Denoncuesja – Mund ta marrësh Majlindën në telefon që të më japësh një përgjigje se unë nuk kam mundësi të vij ditë për ditë këtu.

Administratori – S’ka nevojë të vish përditë, kur të thërrasë ajo.

Denoncuesja – Po kur do më thoni mua, se kanë kaluar 2 vite! 2 vite po pres, prit, e prit, prit, prit! U bënë ato borxhet mal, ku ti çoj unë e shkreta se vdiqëm.

Administratori – Goce, largohu ik se do të marrë ajo kur të kem unë kohë të lirë.

Denoncuesja – E kuptoj kur ke kohë të lirë, po ne të tjerët që kemi hallet tona.

Administratori – Po shih, shih …

Denoncuesja – Kur të vijmë ne, kur e ke ti për mbarë?! Ti për mbarë mund ta kesh pas 10 vitesh, ça do bëjmë ne pas 10 vitesh! S’të kushton asnjë gjë, po do t’i jap ato që kam. Jo unë s’ti jap ato që kam. Kaq duhet ta di unë. Se ngela duke ardhur ditë për ditë këtu.

Administratori – S’të flas pa parë letrat, o goce dhe njëherë …

Denoncuesja – Po flasim! Mund t’i thuash Majlindës të lutem t’i shoh pak letrat dhe t’më japësh një përgjigje sot.

Administratori – Goce s’është orar pune. Ato në 8 e gjysëm vijnë në punë.

Denoncuesja – Mund të vij prapë unë në 8 e gjysëm.

Administratori – Ore hajde kur të duash ti, s’më …

Denoncuesja – Po tani ti thua do të vish kur të them unë?!

Administratori – (Përplas tavolinën) Ik, ik, ik të thashë.

Denoncuesja – Ç’pate ore, qetësohu!

Administratori – Ik të thashë.

Denoncuesja – Qetësohu, qyqja …

Administratori – Mos hajde më sot, ik, ik.

Denoncuesja – Ç’pate, qetësohu! Shiko se unë është hera e fundit që vij këtu. Siç u flliqëm nga ju, keni për t’u flliqur edhe ju …

Administratori – Ik, po se të q… motrën.

Denoncuesja – Mos më ofendo mua, se s’po ofendoj njeri.

Administratori – Ik të thashë largohu.

Denoncuesja – S’po të ofendon njeri. S’po të ofendon njeri.

Administratori – Ore do të ikësh, si e ke hallin.

Denoncuesja – Për çfarë ofendon njëherë, s’po e marr vesh.

Administratori – Ik dil jashtë.

Denoncuesja – Lekët e mia jam duke kërkuar, djersën time. Jo djersën tate. Se kam derdhur unë lot atje.

Vijnë të tjerë …

Denoncuesja – Ça do ti?

Punonjësja – Flasim me vonë.

Denoncuesja – Nuk flas unë! Kush je ti që vjen kështu dhe flet.

Punonjësja – Ka ca punë, ka ca punë!

Denoncuesja – Edhe ka punët e veta s’më intereson fare, po unë kam hallet e mia siç ka ky punët e veta.

Denoncuesja takon edhe ekonomisten e firmës

Denoncuesja – Erdha, fola me Ladin. Ladi më tha fol me Majlindën. Tani do ti japim një zgjidhje, se ti më the ik fol me atë.

Ekonomistja – Sot jo, se s’jam mirë me shëndet!

Denoncuesja – S’je mirë me shëndet, as unë s’jam mirë me shëndet.

Ekonomistja – Nuk jep përgjigje punonjësja.

Denoncuesja – E di, po Zotëria tha të lutem fol me Majlindën, thuaj Majlindës të të çojë letrat të të japë përgjigje.

Ekonomistja – Në këtë moment ju e kuptoni edhe vetë ne s’mund të flasim për asnjë gjë!

Denoncuesja – Pse?

Ekonomistja – S’flasim se kemi një hall tjetër.

Denoncuesja – Ça?

Ekonomistja – Kemi një hall.

Denoncuesja – Po edhe unë, siç ke halle ti, siç ka halle edhe ai, kam edhe unë halle. Se po na mbytin borxhet nga ana këtej. Tani unë s’po kërkoj ndonjë të atij, lekët e mia po kërkoj. Ai qëparë u agravua në maksimum, s’di ça përgjigjë të japi. Ti s’di ça përgjigje të japësh! Unë dua përgjigje, pa marrë përgjigje unë s’largohem nga këtu. Ka mundësi të kthesh përgjigje të lutem?

Ekonomistja – Jo, punonjësja nuk kthen përgjigje!

Denoncuesja – Po mere të lutem shefin tënd në telefon.

Ekonomistja – S’e marr fare në telefon.

Denoncuesja – Pse nuk e merr në telefon?

Ekonomistja – Nuk e marr!

Denoncuesja – Nuk e di ça kompanie paskeni qenë, ku njëri thotë shko foli asaj, ai thotë shko foli kësaj. Në ajër fare tani, çfarë të bëj unë?! Ju vetë keni thënë, hajdeni në një moment të dytë. Tani ti po mohon fjalët që ke thënë vetë. Ka mundësi të japësh një përgjigje se po të flas si njeri.

Ekonomistja – Edhe unë si njeri po të flas, s’mundem të jap një përgjigje!

Denoncuesja – Për çfarë arsye?

Ekonomistja – Për arsye shëndetësore s’mund të jap një përgjigje.

Denoncuesja – Ai më ka sjellë!

Ekonomistja – Ta ka dhënë një …

Denoncuesja – Ça përgjigje më ka dhënë?

Ekonomistja – Nuk e di!

Denoncuesja – S’më ka dhënë asnjë lloj përgjigje. Më ka thënë ik fol me Majlindën.

Ekonomistja – S’jam në mesin tuaj të detyrimeve, nuk jam fare!

Denoncuesja – Nuk je po e ke për detyre që t’i çosh letrat që t’i shikojë.

Ekonomistja – Po s’kam letra.

Denoncuesja – Po ça letrash s’ke?! Se shtëpitë janë bërë atje, të gjithë kanë hyrë.

Ekonomistja – Shiko se s’ta di edhe emrin, të lutem …

Denoncuesja – S’ma di emrin ti, po ti ato shtëpitë i ke bërë në emrin tim, i kam bërë unë!

Ekonomistja – A ka mundësi.

Denoncuesja – Shpresoj të bëhesh më mirë, kur të bëhësh më mirë unë do të vij prapë, pa merak.

Ekonomistja – Të vish po ta siguroj që me mua s’ke punë.

Denoncuesja – Po si s’kam punë, unë me ty kam folur, me atë kam folur.

Ekonomistja – Nuk e di as…

Denoncuesja – Se shefi yj më tha hajde fol me ty.

Ekonomistja – Jam punonjëse, jam punonjëse …

Denoncuesja – Po ai të jep urdhër moj shoqe, s’të jap unë.

Ekonomistja – S’më jep urdhër fare.

Denoncuesja – Po pse s’të jep urdhër ai?

Ekonomistja – Mos debato kot.

Denoncuesja – Unë po të flas tamam, s’po debatoj kot! Pse nuk jep urdhër ai, s’e nuk e marr vesh? Nëse ai është shefi jot ti duhet të dëgjosh ça thotë.

Ekonomistja – O të lutem.

Denoncuesja – Në rregull ju e dini!

Ekonomistja – Ik L…

Denoncuesja – Unë do vij prapë. Ja e dike emrin ëë?

Ekonomistja – Po e di se të thashë, tani në këtë moment s’jam mirë!

Denoncuesja – Qëparë nuk e dije emrin, tani e di emrin.

Ekonomistja – Mu kujtua.

Denoncuesja – Shumë përshtypje, aa t’u kujtua! Hajde, hajde kujtoheni ju. Inshallah po ju kujtohen edhe ato lekët që na keni borxh.