Mbërrin i nxehti afrikan! Temperatura deri në 30 gradë këtë javë! Ja qytetet më të nxehta

Hakil Osmani nga MeteoAlb tha këtë të hënë për “Good Morning Albanians” se temperaturat këtë javë pritet të jenë të larta ndërsa shtoi se dy ditët më të nxehta do të jetë dita e sotme dhe e marta.

Ai tha gjithashtu se dy qytetet që do kenë temperaturat më të larta do jenë Berati dhe Elbasani, në të cilat vlerat mund të arrijnë deri në 30 gradë celsius.

Osmani tha gjithashtu se nga e mërkura temperaturat do të pësojnë një ulje të lehtë, ndërsa mund të kemi edhe reshje shiu.

“Dy ditët më të nxehta pritet të jenë e hëna dhe e marta. Parashikohet që në qarqet e Beratit dhe të Elbasanit temperaturat mund të arrijnë edhe 30 gradë celsius, deri në 29 gradë celsius temperaturat do arrijnë edhe në Tiranë. Vija bregdetare parashikohet të jetë 27-28 gradë celsius.

Në zonat malore temperaturat do arrijnë deri në 20 gradë celsius, ku ky maksimum do të arrihet në zonën e Kukësit. Kushtet e motit ndryshojnë duke filluar nga e mërkura. Do kemi shtim gradual të vranësirave dhe në zonat lindore mund të kemi reshje shiu. E enjtja dhe e premtja mund të kenë shtim të vranësirave dhe të shirave”,-tha Hakil Osmani.