
...
Një sasi lënde plasëse shpërtheu në orët e para të mëngjesit të së dielën në oborrin e banesës së gjyqtarit të Shkodrës Tonin Sterkaj.
Gazetari i Euronews Albania, Teodor Gjerga raportoi se nga hetimet e deritanishme bëhet me dije se personi që ka hedhur lëndën plasëse në oborrin e banesës së gjyqtarit ka qenë i maskuar dhe për shkak të errësirës identifikimi i tij nga kamerat e sigurisë është i vështirë.
Deri tani nuk ka asnjë emër të dyshuar të personit që ka hedhur lëndën plasëse i cili pas ngjarjes është largur nëpër rrugicat e lagjes.
Dyshohet se ngjarja mund të ketë ndodhur për shkak të detyrës së Sterkajt prej vitesh si gjyqtar i Gjykatës së Shkallës së Parë në Shkodër.
“Sterkaj ka shumë vite eksperiencë si gjyqtar i shkallës së parë dhe Apelit, ka kaluar procesin e vetingut dhe gëzon reputacion të mirë, nuk ka pasur problematika me skandale. Mbetet për t’u parë, nëse kjo ngjarje do të zbardhet pasi shumë ngjarje të ngjashme në Shkodër nuk janë zbardhur kurrë”, raportoi gazetari Gjerga.