E rëndë në Gjermani, shqiptari qëllon për vdekje me breshëri plumbash pronarin e një lokali

Një 38-vjeçar u vra pas një sherri në një lokal në Düsseldorf në orët e para të mëngjesit të së dielës. Autori i vrasjes është një shqiptar nga Kosova i cili është arrestuar nga policia. Mediat gjermane shkruajnë se të shtënat u raportuan në orën 2:45 të mëngjesit. Sipas të dhënave fillestare të policisë, ka pasur një mosmarrëveshje mes një burri dhe pronarit në një lokal.

Më pas debati ka vazhduar jashtë derës së lokalit. Në fund, klienti qëlloi disa herë në drejtim të pronarit. Më pas mësohet se autori është futur sërish në lokal. Kur policia mbërriti në vendin e ngjarjes mundën të arrestonin pa rezistencë personin që qëndronte para derës me armën e zjarrit në dorë. Sipas policisë bëhet fjalë për një 52-vjeçar nga Kosova me banim në Gjermani.

Për të sqaruar rrethanat janë duke u zhvilluar hetime të mëtejshme, tha një zëdhënës i policisë. Pavarësisht ndërhyrjes së policisë dhe mjekëve, 38-vjeçari nuk mundi të shpëtojë. Sipas të dhënave është përdorur vetëm një armë, pra nuk ka pasur shkëmbim zjarri.