“Akt burracak për të intimiduar drejtësinë”, Manja reagon pas shpërthimit në shtëpinë e gjyqtarit në Shkodër

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka reaguar pas ngjarjes së ndodhur në Shkodër, ku një shpërthim eksplozivi u regjistrua në banesën e gjyqtarit Tonin Sterkaj.

Duke shprehur mbështetjen për togat e zeza dhe Sterkajn personalisht, Manja kërkon nga policia dhe prokuroria zbardhjen e plotë të ngjarjes.

“Me Tonin Sterkajn më ka njohur puna si drejtues i Prokurorisë Shkodër, gjatë viteve 2002-2007 dhe miqësinë tonë të atyre kohëve të vështira e kemi pasurinë tonë më të madhe. Si mik dhe si koleg, sot, i kam shprehur Toninit dhe familjes së tij gjithë mbështetjen time!”

Për ministrin Manja kemi të bëjmë me një akt burracak të atyre që për qëllim kanë të intimidojnë sistemin e drejtësisë në vend.

“Si Ministër i Drejtësisë, kërkoj nga organet kompetente të zbardhin sa më parë këtë akt të shëmtuar prej burracakësh që kërkon të intimidojë drejtësinë, por që nuk do ia arrijnë dot, aq më tepër me Tonin Sterkajn, gjyqtarin më të vjetër e më me përvojë që ka sistemi i drejtësisë sot në juridiksionin e shkallës së parë! Sot jam në krah të Toninit dhe familjes së tij dhe jam i bindur se drejtësia do triumfojë dhe në këtë rast!”