Përfundon greva e doganierëve grekë, rifillon lëvizja në Kakavijë

Doganierët grekë në Kakavije kanë përfunduar grevën 48-orëshe, duke u rikthyer në vendet e punës.

Prej orës 07.00 të mëngjesit në këtë doganë ka rinisur lëvizja e automjeteve në drejtim të Greqisë dhe anasjelltas. Në orët e mëngjesit konstatohet një rritje e fluksit të lëvizjes kryesisht e kamionëve të transportit të mallrave në të dyja anët e kufirit.

Prej datës 2 prill si shkak i grevës në palën greke në doganën e Kakavijës ishte bllokuar lëvizja e autoveturave, autobusëve dhe kamionëve të mallrave ndërsa kanë lëvizur një numër i pakët këmbësorësh pa bagazhe.

Policia Kufitare dhe dogana shqiptare në Kakavije kanë marrë masat përkatëse për evitimin e pritjes së këmbësorëve dhe automjeteve në kufi.