Policia finlandeze: Bullizmi ishte motiv për sulmin vdekjeprurës në shkollë

Një djalë 12-vjeçar, i cili e qëlloi me armë për vdekje një nxënës moshatar të klasës së gjashtë dhe i plagosi rëndë dy të tjerë, përfshirë një vajzë nga Kosova në një shkollë fillore në Finlandë, ishte objekt i bullizmit dhe kjo është çfarë e nxiti atë ta kryejë sulmin, tha Policia finlandeze të mërkurën.

Policia tha se ai e mori me vete revolen e një të afërmi në shkollën fillore “Viertola” në afërsi të Helsinkit dhe i qëlloi tre nxënës 12-vjeçar dhe i kërcënoi disa të tjerë.

Ai ishte transferuar në këtë shkollë në fillim të vitit 2024, thanë hetuesit.

Të martën, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës konfirmoi se një vajzë shqiptare nga Kosova është njëra nga të plagosurit në sulmin në shkollën “Viertola” në Finlandë.

Ajo nuk dha hollësi të tjera, por tha se Ambasada e Republikës së Kosovës në Stokholm është në kontakt të vazhdueshëm me familjarët e vajzës.