Mbanin kontakte me botën e krimit, izolohen në regjimin ’41 biss’ dy të dënuarit

Izolohen në regjimin e posaçëm ’41 biss’ dy të dënuar me burgim të përjetshëm. Anterio Kaloshi dhe Aldo Hoxha dyshohet se kanë patur komunikime dhe mbanin kontakte me njerëz të botës së krimit.

Anterio Kaloshi është dënuar përjetë për masakrën e Lushnjës në vitin 2017, ku përfshihet edhe Laert Haxhiu, teksa u ekzekutuan me armë Zamir Latifi e Jurgen Hoxha, si dhe u plagos Marius Xhepexhiu. Kaloshi gjithashtu ka fshehur dhe strehuar Orges Bilbilin, tjetër i arrestuar si një nga autorët e ngjarjes.

Ndërsa Aldo Hoxha akuzohet për vrasjen e Fatbardha Tafës, gjatë tentativës për të grabitur një varëse floriri nga qafa, të cilën i riu e qëlloi për vdekje me thikë. Ngjarja ndodhi më 7 gusht 2012 pranë Fushës së Aviacionit në Tiranë, teksa mbeti e plagosur edhe kunata e viktimës.