... Nami.al

Komisioni për Dezinformimin, Nikolla letër zyrtarit të DASH: Na ndihmoni!

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla i ka dërguar një letër zyrtarit të lartë të DASH, James Rubin pas ngritjes së Komisionit për Dezinformimin.

Në letrën e saj, Nikolla e fton zyrtarin amerikan të vizitojë Parlamentin e Shqipërisë dhe ti drejtohet me një fjalë “për rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta për të luftuar ndikimet e huaja malinje”.

“Dëshiroj t’ju kërkoj që t’i drejtoheni Kuvendit për rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta për të luftuar ndikimet e huaja malinje. Kërkoj të inkurajoni bashkëpunimin në këtë çështje vendimtare. Faleminderit për konsideratën tuaj dhe pres me padurim përgjigjen tuaj”, shkruan Nikolla në letrën drejtuar të Dërguarit Special dhe Koordinatorit për Qendrën e Angazhimit Global të Departamentit të Shtetit.

Ditën e sotme u mblodh Konferenca e Kryetarëve në Kuvendin e Shqipërisë për të diskutuar për kërkesën e Partisë Socialiste, për ngritjen e një Komisioni të posaçëm për Dezinformimin.

Ngritja e komisionit në fjalë u votua vetëm me votat e mazhorancës ndërkohë që kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka kërkuar shtyrjen e kësaj çështjeje për në një moment tjetër, pasi sipas tij, është një temë delikate që duhet trajtuar në një kohë më të gjatë.