‘I qëndronte larg sherrit’, flasin miqtë e 18-vjeçarit që u vra në Tiranë: Punonte me të atin

Aurelio Dervishi, i cili u vra mbrëmjen e djeshme në Tiranë, do të përcillet sot pasdite për në banesën e fundit. Miqtë e përshkruajnë atë si një djalë të qetë, që qëndronte larg sherreve, dhe ndihmonte të atin me punime elektrike.

Ata shprehen se e kishin takuar gjysmë ore para ngjarjes, ku ishte pasagjer në një makinë, ndërsa nuk e kishin vënë re se me kë ishte.

“Aurelio ka qenë djalë shumë i mirë. I qëndronte larg sherrit dhe bënte shumë për shoqërinë. Pasi mbaroi gjimnazin punonte me të atin, bënin punime elektrike. E takuam gjysmë ore para ngjarjes. Ishte pasagjer në një makinë. Ishte i qetë. Nuk e pamë me kë ishte i shoqëruar”, thanë për Top Channel miqtë e viktimës.

18-vjeçari ishte në vendin dhe momentin e gabuar, pasi nuk ishte ai shkaku i sherrit mes të rinjve një natë më parë. Shoku që ishte në drejtimin e makinës, ishte i lidhur me një vajzë, e cila më herët kishte qenë e dashura e njërit prej agresorëve.