Çfarë është sindroma e ‘vajzës me fat’ në TikTok dhe pse po kritikohet ky trend

A është fati diçka me të cilën kemi lindur apo diçka që mund të fitohet përmes jetës dhe të menduarit pozitivisht?

Sipas disa videove që po qarkullojnë në platformën TikTok, ju thjesht duhet të besoni se jeni me fat, të qëndroni në këtë besim dhe pjesa tjetër vjen me kalimin e kohës. Ndryshe, kjo quhet “sindroma e vajzës me fat” që në thelb duket si një qasje e filozofisë së librit “Sekreti”, i kthyer më pas në një film që flet për ligjin e tërheqjes. Pra, mendimi ndikon në rrethanat e jetës së dikujt, ose thjesht “ju bëheni ajo që mendoni”.

Duke huazuar këtë filozofi edhe në jetë, “sindroma e vajzës me fat” tregon se mjafton të mendosh se sa me fat je, të besosh në këtë gjë dhe fati i mirë do t’ju ndjekë.

Nuk është për t’u habitur fakti që këto video po kritikohen shumë, sidomos për prirjen që sugjerojnë duke përdorur fuqinë e të menduarit pozitiv për të ndryshuar jetën dhe rrethanat.

Duket e kotë që t’i sugjeroni të tilla mendime pozitive dikujt që është në një “humnerë” në jetë për shkak të problemeve dhe situatave që po kalon.

Kritikë të tjerë thonë se kjo sindromë promovon pozitivitetin toksik, duke mos lënë shumë hapësirë për mendime apo ndjenja negative.

Njerëzit duhet të mendojnë se pavarësisht trendeve dominuese, sa më shumë i vini gjërat në lëvizje, aq më shumë ka të ngjarë që ato të ndodhin në jetë e të keni më shumë fat. Pra, në vend që thjesht të mendoni se jeni me fat dhe t’ia kujtoni shpesh vetes këtë gjë, ju duhet të ndërmerrni hapa të prekshëm drejt ndikimit në këtë gjë, duke takuar njerëz të rinj, duke provuar diçka të re etj.