Basha uron Pashkën: Drita e shpresës të ndezë besimin se ditë më të mira na presin

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka shpërndarë një mesazh urimi për Pashkën katolike.

Përmes një postimi në facebook, Basha uron të gjithë besimtarët katolikë dhe ungjillorë për Ringjalljen e Jezu Krishtit.

Ai uron që drita e shpresës dhe kurajos ndeztë në zemrat dhe mendjet e çdo familje shqiptare, në këto kohë të vështira, sipas tij.

“Të dashur motra dhe vëllezër besimtarë katolikë dhe ungjillorë që kremtoni këtë ditë të shenjtë të Ringjalljes së Jezu Krishtit, unë dhe familja ime ju urojmë nga zemra, për shumë vjet Pashkët!

Kremtimi i Pashkëve shënon triumfin e të mirës mbi të keqen, të dritës mbi errësirën, të shpresës mbi dëshpërimin. Në këto kohë të vështira, drita e shpresës dhe kurajos ndeztë në zemrat dhe mendjet e çdo familje shqiptare besimin se ditë më të mira na presin.

Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja!”, shkruan Basha.