Superkompjuteri parashikon Euro 2024, ekipi që fiton trofeun

Ethet e Europianit po shoqërojnë çdo tifoz futbolli kur duhen ende disa javë deri në nisjen e këtij kompeticioni, më i rëndësishmi për përfaqësueset në kontinentin e vjetër. E gjithë vëmendja është tek emrat e mëdhenj të kombëtareve si Gjermania, Anglia, Franca, Italia apo Holanda, ndërsa kanë nisur dhe parashikimet se cila prej tyre do të ketë sukses.

Pasi humbën në finalen e edicionit të fundit, “3 luanët” synojnë të ngrenë lart trofeun, ndërsa parashikimi i superkompjuterit të OCS Scores, ishullorët kanë një shans prej 34.4% për t’u shpallur kampionë.

Ky përfundim ka ardhur pas një analize që superkompjuteri ka bërë për formën, rezultatet dhe historinë e mëparshme të Anglisë në kompeticione madhore. Më tej, në parashikimin e bërë rezulton se skuadra e dytë është Franca me 28.3% e më pas Gjermania me 13.5%. Listët i shtohen më tej dhe Belgjika, Holanda, Spanja apo Portugalia, teksa me një lloj nënvlerësimi shihen axurrët.

Sipas superkompjuterit, shancet që Italia të fitojë turneun janë 0.8%, por pavarësisht këtyre shifrave, është një ekip që nuk duhet nënvlerësuar asnjëherë. Euro 2024 nis më 14 qershor dhe përfundon më 14 korrik kohë kur dhe do të kurorëzohet ekipi kampion.