“Presim 4 mld euro investime”- Rama: Duam që zhvillimi të na çojë në BE

Shqipëria po thith investime nga jashtë me vlerë më të madhe se parashikimet që ka bërë qeveria në programet afatmesme. Në vitin 2023, fluksi arriti në 1.5 mld euro dhe për kryeministrin Edi Rama, vendi tashmë pretendon ti trefishojë ato.

“Mblidhemi në një kontekst, do thoja, shumë inkurajues për ekonominë tonë, në kushtet kur nga njëra anë Shqipëria ka marrë një vlerësim të ri nga Standard & Poor’s me “BB – ” . Është hera e parë që Shqipëria ngjitet në këtë nivel në klasifikimin e vendeve dhe nga ana tjetër kur kemi një të dhënë të fundit të Bankës së Shqipërisë, për një rritje të ndjeshme të investimeve të huaja të cilat për herë të parë kanë hipur ndjeshëm mbi shifrën e stabilizuar në vitet e fundit prej 1 miliard eurosh, në 1.5 miliard euro.

Vizioni ynë i Shqipërisë 2030 shkon shumë përtej këtyre të dhënave të aktualitetit. Pa diskutim që ne kemi një potencial për një rritje të mëtejshme të investimeve të huaja dhe synimi ynë është të ngjitemi në2, 2.5, në 3, në 4 miliard.

Pa diskutim që ne i kemi të gjitha mundësitë që në një kohë jo të gjatë të kemi një tjetër vlerësim pozitiv me përmirësim nga Standard & Poor’s dhe sot nëse shohim të dhënat dhe nëse shohim trendët, nuk është aspak e shfrenuar imagjinata që në një kohë të arsyeshme të kalojmë në “BB +”. Turizmi rritet, kërkesa për Shqipërinë rritet në mënyrë eksponenciale do të thoja.

Sot ne shohim që sipërmarrja në turizëm nuk shtron më problemin e pagave. Është gati të paguajë dhe të paguajë shumë mirë si nuk do të imagjinohej deri disa vite më përpara, por shtron problemin që të ketë kë të paguajë dhe të ketë me kë t’i mbulojë të gjitha rolet dhe funksionet e një infrastrukture mikpritjeje.

Nga ana tjetër, për ne është shumë e rëndësishme që të kemi qartësi dhe të kemi sa më shumë kontribut nga të gjithë faktorët e tjerë ekonomikë dhe socialë, si dhe akademik, në mënyrën se si ne duhet të formësojmë një politikë të re për aftësimin profesional, jo vetëm në nivel të shkollës, por edhe për ri aftësimin në funksion të tregut edhe në moshat që nuk janë më mosha shkolle”, tha Rama.

Në Këshillin Ekonomik Kombëtar, Rama foli edhe për ofertën që ka hapur turzimi në punësimin e mijëra njerëzve.

“Shohim që turizmi rritet dhe sipërmarrja në turizëm nuk shtron problemin e pagave, por shtron problemin se të ketë të paguaj. Nga ana tjetër ne duam të kemi më shumë kontribut në të gjithë faktorët e tjerë ekonomik, se si do të parashtrojmë arsimin profesional në funksion të tregut dhe sigurisht dhe për moshat që nuk janë më mosha shkolle”.

Për qeverinë, tashmë mbetet me rëndësi që zhvillimi ekonomik dhe social i vendit, të ndihmojë në plotësimin e kritereve për integrimin në Bashkimin Europian.