... Nami.al

Kombëtarja, asnjë gol nga nëntori: me klubet bëjnë ‘namin’, 355 minuta në të ‘thatë’ për kuqezinjtë

Miqësoret e marsit janë mbyllur me dy humbje 4 gola të pësuar dhe asnjë të shënuar. Bilanc negativ, por që lëshon një këmbanë alarmi për kuqezinjtë që nuk shënojnë me fanellën e kombëtares prej 355 minutash lojë. Efektivë me klubet, tani Broja, Manaj e të tjerët kanë vetëm dy miqësore për të ndryshuar humorin përpara Europianit.

Dy miqësoret e marsit, mes humbjes së sikletshme me Kilin e asaj dinjitoze me Suedinë, edhe pse pak dinjitet ka në një humbje, ishin një zhgënjim. E pra ishin 8 lojtarët ofensivë të thërritur nga Sylvinho, pa llogaritur Uzunin të larguar para kohe për shkak dëmtimi.

Emrat thërrisnin pritshmëri me zë të lartë e zhurmë golash me klubet, Manaj 19 në Turqi, Muçi 11 mes Legias e Besiktasit, po kaq edhe Cikalleshi me Konyaspor sa për të llogaritur ata me më shumë prezenca e numër rrjetash të tundura, por në fushë me fanellën e kombëtares askush nuk u ngrit në nivelin e statusit që kishte: dikush sepse pati pak minuta, dikush sepse nuk u thërrit në çështje e dikush se nuk kishte minutat në këmbë.

GOLI I HARRUAR
Fakt është që goli, që u duk as i thjeshtë në kualifikuese, mungon nga transferta e Moldavisë, kur Cikalleshi shënoi me penallti. Nga aty, kuqezinjtë morën një 0-0 me Ishujt Faroe, e fundit eliminatore, para dy miqësoreve të humbura në harkun e tre ditëve.

Praktikisht 355 minuta pa shënuar, ndërsa për një gol me aksion pritja është pak më e gjatë me golin e fundit të shënuar 394 minuta më parë, në miqësoren e fituar 2-0 me Bullgarinë në 17 tetor, kur Muçi shënonte në minutën e 81’.

Tani përpara janë Lihtenshtejni dhe Azerbaixhani, në qershorin e vigjiljes së Europianit, në të cilin Sylvinho dhe sulmuesit kuqezi duhet të gjejnë golat dhe fitoren, për të provuar forcat me Italinë në gjendjen më të mirë psikologjike.

Përshkrimi i imazhit