
...
Gjykata e Lezhës ka caktuar masën “arrest në burg” për 24-vjeçarin e arrestuar 4 ditë më parë pasi u kap me dy mina me telekomandë të fshehura në trup.
Arkil Selimi u njoh me masën e sigurisë në seancën gjyqësore të zhvilluar me dyer të mbyllura, ndërsa mësohet se nuk ka dhënë asnjë shpjegim rreth veprimtarisë së tij dhe posedimit të minave.
Pasi dëgjoi palët, gjyqtari Aldi Kareco, e cilësoi të ligjshëm arrestimin në flagrancë të 24-vjeçarit dhe vendosi ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në Burg”, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Dyshohet se Selimi i montonte vetë minat, me qëllim shitjen grupeve kriminale kundrejt shumave të parave që variojnë nga 1500 deri në 2500 euro, ndërsa vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshire në këtë veprimtari kriminale.