Sulmi terrorist në Moskë/ Arrestohen edhe tre persona të tjerë, babai dhe dy djemtë akuzohen për bashkëpunim

Hetuesit rusë kanë shkuar sot në Taxhikistan për të marrë në pyetje familjet e katër burrave të akuzuar për një sulm terrorist në Moskë. Burimet për Reuters, të cilët nuk ishin të autorizuar të flisnin publikisht, thanë se zyrtarët e sigurisë Taxhikistani i sollën familjet në kryeqytetin Dushanbe nga qytetet Bakhdat dhe Gisar dhe rajoni Rudaki.

Sipas burimeve, presidenti i Taxhikistanit, Emomali Rahmon po mbikëqyr personalisht hetimin që po kryhet në vendin e tij. Dje në deklaratën e tij të parë publike që nga sulmi, Rahmon e quajti sulmin një incident të turpshëm dhe të tmerrshëm dhe u bëri thirrje Taxhikëve të mbrojnë fëmijët e tyre nga ndikimet e këqija.
Katër burra nga Taxhikistani janë arrestuar nën akuzat për terrorizëm nën dyshimin e sulmit. Tre të tjerë, gjithashtu nga Taxhikistani, janë arrestuar nën dyshimin për bashkëpunim. Sipas Telegrafit, bëhet fjalë për dy vëllezërit Aminson dhe Dilovar Islomov, si dhe babain e tyre Isroil Islomov.

Shteti Islamik ka marrë përgjegjësinë për sulmin dhe ka publikuar pamjet që pretendon se përshkruajnë sulmin. Sipas të dhënave të fundit, sulmi në sallën e koncerteve Crocus në periferi të Moskës, të cilin e mori përsipër grupi i Shtetit Islamik, la 139 të vdekur dhe 182 të plagosur.