Andi Bushati braktis në mes emisionin e Çim Pekës: Nuk pranoj të debatoj me idiotë

Mbrëmjen e djeshme në Çim Peka shpërtheu një sherr i pakontrolluar mes dy analistëve të ftuar. Andi Bushati u largua i nervozuar nga studio duke pretenduar se nuk donte të dëgjonte idiotësira, kurse Lorenc Vangjeli i tha se bënte mirë të ikte meqë nuk kishte asnjë ndryshim mes karriges që do të mbetej bosh dhe Bushatit mbi të.

Në fakt ishte e vështirë të kuptohej se pse u ngritën tonet në studio. Edhe pse asimetrikë në pothuaj çdo qëndrim, analistët kishin rënë dakort më herët që edhe vendi në parlament i përkiste Sali Berishës, në arrest shtëpie, edhe që bashkia e Himarës duhej të kishte Fredi Bejlerin kryetar të betuar tashmë.
Keqkuptimi nisi kur u përmendën dy dosjet e famshme, ajo e Dibrës dhe 339 e Durrësit.

Vangjeli, duke ju referuar kohës së gjatë që ka kaluar që prej ndodhjes së faktit penal tha se sot, më e rëndësishme edhe se vetë hetimi i dosjeve, është hetimi sesi janë hetuar ato dosje. “Ky është shembulli klasik sesi politika ka hyrë në hetimin e atyre dosjeve duke i shkatërruar ato duke krijuar një fluskë të madhe gënjeshtre që vazhdon të besohet sot”.

Sipas Vangjeli, përgjimet e publikuara janë selektive dhe se ato janë vetëm një pjesë e papërfillshme e tyre duke krijuar ide të gabuar për të tërën.

“Copëzat e mozaikut të publikuar nuk japin të qartë të gjithë pikturën. Të dyja dosjet u shkatërruan dhe u përdorën si alibi e poshtër për krimin më të madh që ka ndodhur ndonjëherë në këtë vend për djegien e mandatëve në dimrin e vitit 2019”, tha Vangjeli.

Në këtë pikë Bushati ndërhyri dhe kërkoi të largohet me pretendimin se ato që po dëgjonte ishin idiotësi, kurse Vangjeli i tha se mirë do të bënte të ikte.

Bushati: Lorenc nuk i dëgjoj dot këto, ata që janë në shtëpi e ndërrojnë kanalin por unë nuk lejoj që të dëgjoj idiotësira.

Vangjeli: Ngrihu dhe ik, është gjëja më e mirë që do të bësh.
Bushati: Ok, po iki!

Peka: Pse po ikën Bushat, cila është arsyeja?

Bushati: Po iki prej teje sepse ke përgjegjësinë që të mos lejosh idiotësira në emisionin tënd.

Peka: Nuk flas unë Bushat, por flasin të ftuarit.

Bushati: Ky fut kasetën e partisë dhe duhet ta dëgjoj unë, unë nuk jam spektator në miting.
Vangjeli: Ti e di që unë që unë mund t’i jap një përgjigje edhe karriges tënde bosh.

Peka: Jo, këtë nuk do ta bësh.

Vangjeli: Nuk e bëj sepse nuk ka asnjë ndryshim mes karriges bosh dhe Bushatit mbi të.

Pas këtij debati mes tyre moderatori ka mbyllur emisionin.