Kërkoi të merrte pjesë në Kuvend, Apeli rrëzon Berishën

Apeli i GJKKO-së ka rrëzuar kërkesën e ish-kryeminstrit Sali Berisha për të lejuar që të marrë pjesën në seancat plenare në Kuvend.

“Sot u vërtetua shkelja e Kushtetuta, shkelmimi i saj. Berisha nuk është një punëmarrës që trajtohet mbi bazën e ligjit të të burgosurve, por nga Kushtetuta”, tha avokati i tij, Genc Gjokutaj.

Lideri demokrat ndodhet prej 30 dhjetorit nën masën e sigurisë arrest shtëpie, pas hetimeve që nisi SPAK për privatizimin e ish-klubit Partizani, dhe prej 3 muajsh mungon në seancat parlamentare.

Fillimisht Gjykata e Shkallës së Parë vendosi masën detyrim paraqitje për Berishën, por kjo masë nuk u zbatua. Kjo bëri që SPAK ta ashpërsojë masën për ish-kryeministrin nga detyrim paraqitje në arrest shtëpie.

Ish-kryeministri po hetohet për korrupsion, pasi ka dyshime se ka favorizuar duke nxjerrë akte nën ligjore për t’i ndihmuar dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi. Edhe ky i fundit është me masë sigurie “arrest shtëpie”.