VOA: Jorgo Goro u arrestua pasi tjetërsoi pronë në bregdet për llogari të bashkëshortit të Olta Xhaçkës

Në Shqipëri, kryetari në detyrë i Bashkisë së Himarës Jorgo Goro u arrestua pasditen e së shtunës, nën dyshimet se përmes dokumentave të falsifikuar ka lejuar rregjistrimin e parregullt të dy pasurive të patundshme në bregdet, të cilat, pas disa transaksioneve, i kaluan sipërmarrësit Artan Gaçi, bashkëshort i ish ministres së Jashtme Olta Xhaçka, për të ndërtuar një kompleks turistik në bregdetin e Dhërmiut.

Hetimet për këtë rast nisën pas një kallëzimi të bërë në muajin gusht nga kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës Fredi Beleri, i dënuar pak javë më parë nga Gjykata e posaçme nën akuzën e korrupsionit në zgjedhje. Sipas kallëzimit, zoti Goro ka përcjellë për regjistrim në ish ZVRPP (Zyra vendore e rregjistrimit të pronave të patundshme) Vlorë një AMTP ( Akt të marrjes së tokës në pronësi) në emër të një banori të Himarës (Foto Pavli Mëhilli) përmes procedurave dhe dokumentave të falsifikuar.

Ndaj Stavri Mëhillit, trashëgimtar i pronës, është lëshuar po ashtu, urdhër arresti, por ende i paekzekutuar deri në mbrëmje. Ndërsa në arrest shtëpie kanë përfunduar dy zyrtarë të Kadastrës në Vlorë. Urdhër arresti në shtëpi është lëshuar dhe për Drejtorin e Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të tokës, në Bashkinë Himarë Jerasimo Bashi. Por dhe ky nuk është gjendur nga policia.

Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, pretendonte një seri falsifikimesh mbi sipërfaqen e denoncuar, që nga fakti që nuk i përkiste familjes Mëhilli, te rregjistrimi i saj si truall, ndërkohë që ishte pjesë e fondit bujqësor. Sipas zotit Beleri “nr kadastral i parcelës i përcaktuar në AMTP, për sipërfaqen 5512 m2, konkretisht me nr 36/36/1 nuk përputhen me asnjë nga nr kadastrale të hartës kadastrale, në bazë të të cilës është bërë ndarja e tokës bujqësore dhe që pasqyron ngastrat dhe fondin e tokës bujqësore të kooperativës së fshatit Gjilek-Dhërmi në kohë, hartë që Bashkia Himarë e posedon”.

Sipas njoftimit të Prokurorisë së Posaçme, zoti Goro “në dy episode të ndryshme ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin. Në bashkëpunim me Drejtorin e Bashkisë, Bashi, pa bërë asnjë verifikim konkret sipas detyrimeve ligjore, kanë përcjellë pranë organeve kompetente dokumenta tërësisht të falsifikuara duke bërë të mundur më pas regjistrimin e një sipërfaqe prej 5512 m2 tokë bujqësore në pronësi shtet, në favor të subjektit privat. Kjo sipërfaqe toke e ndodhur në Dhërmi, Vlorë, pas regjistrimit në regjistrat publikë falë edhe veprimeve të kundërligjshme të personave përgjegjës (dy zyrtarët e Kadastrës së Vlorës) është tjetërsuar në favor të një subjekti privat, duke zhveshur shtetin nga pronësia mbi të”.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, “ky tjetërsim është shoqëruar me përfitim material të padrejtë për shtetasin tjetër nën hetim Stavri Mëhilli”. Ky i fundit, sipas Prokurorisë së Posaçme “ka përdorur më shumë se një herë, pranë disa institucioneve por edhe organeve proceduese, dokumenta dhe formularë të falsifikuar, veprime këto që më pas kanë sjellë edhe regjistrimin fillestar në emër të Foto Mëhilit (trashëgimlënës) të një sipërfaqe tokë bujqësore prej 5512 m2, ndodhur në Dhërmi, Vlorë. Pas regjistrimit të pasurisë në emër të trashëgimtarëve, mes të cilëve dhe shtetasit nën hetim, është vijuar me transaksionet të cilat kanë konkluduar në regjistrimin e pronës në emër të shoqërisë private me përfaqësues shtetasin Artan Gaçi”.

Zoti Gaçi, është po ashtu një ndër emrat e kallëzuar nga zoti Beleri, sipas të cilit e gjitha praktika ka patur si synim që sipërfaqja e terrenit t’i kalonte bashkëshortit të ish ministres, duke e përfshirë atë si pjesë të zonës ku ai ka nisur të ndërtojë një kompleks turistik. Në tetor të vitit të kaluar, Prokuroria e posaçme njoftoi se kjo sipërfaqe u vendos nën sekuestro nga Gjykata e posaçme. Zonja Xhaçka reagoi në atë kohë, duke u shprehur se bëhej fjalë për një masë të marrë “për të hetuar origjinën e një prone private qysh nga viti 1994”. Zoti Gaçi si dhe zoti Goro, ishin marrë ndërkohë në pyetje nga Prokuroria e posaçme.

Por duket se problemet nuk janë vetëm me këtë pjesë të terrenit ku ka investuar zoti Gaçi, por dhe mbi pjesën tjetër të sipërfaqes, ku po ashtu, përmes flasifikimeve, zoti Goro ka tjetërsuar një terren në pronësi të shtetit. “Në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Himarë, në një episod tjetër objekt hetimi i të njëjtit procedim penal, zoti Goro ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin. Në bashkëpunim me Drejtorin Bashi, ka realizuar me veprime konkrete zhvendosjen faktike në terren të një sipërfaqe tokë bujqësore prej 5080 m2, duke ja mbivendosur atë një pasurie tjetër në pronësi të shtetit. Shtetasi nën hetim ka tejkaluar të gjitha kompetencat që ligji i njeh, duke u shprehur për ekzistencën e një mbivendosje pasurish të paluajtshme në terren dhe më pas duke konfirmuar një plan vendosje, e cila rezulton të ketë shërbyer jo vetëm për transaksionet e mëpasshme ndërmjet subjekteve të ndryshëm por edhe për zhvillimin e pronës, përfshirë këtu pajisjen me leje ndërtimi për një kompleks turistik në emër të një shoqërie tregtare, i cili do të ndërtohet mbi të dyja sipërfaqet në fjalë të cilat janë kufitare (10.592 m2)”, shpjegohet në njoftimin e Prokurorisë së Posaçme.

Ndërtimi i kompleksit turistik nga zoti Gaçi, kishte qenë më herët objekt debatesh politike në parlament. Bashkëshorti i ish ministres, kishte përfituar statusin e investitorit stretegjik. Ky fakt sipas opozitës, përbënte konflikt interesi e për këtë arsye kërkoi ndërprerjen e mandatit të deputetit, për zonjën Xhaçka. Shumica socialiste nuk e pranoi kërkesën. Çështja përfundoi në Gjykatën Kushtetuese, e cila e konsideroi të gabuar vendimin e parlamentit duke urdhëruar që rasti të paraqitej për shqyrtim pranë saj. Por ndonëse ka kaluar më shumë se 1 vit, çështja është zvarritur nga shumica e majtë, dhe ende nuk i ka shkuar Gjykatës.