Sekuestrohen armë zjarri dhe municione në Tiranë, në pranga babë e bir

Babë e bir janë arrestuar nga policia e Tiranës në kuadër të operacionit të koduar “Home”, pasi iu sekuestruan armë zjarri, municione dhe një mjet prerës.

Sipas policisë, dy personave 21 dhe 42 vjeç nga Vaqarri gjatë kontrollit në banesë iu gjetën sendet e kundërligjshme.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 në vijim të zbatimit të masave të caktuara në planin operacional “Sundimi i ligjit”, bazuar në informacionet e siguruara për një rast armëmbajtjeje pa leje, kanë organizuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Home”. Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasve K. H., 21 vjeç, dhe I. H., 42 vjeç, (babë e bir), të dy banues në Vaqarr. Shtetasit K. H., gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë, i gjetën një mjet prerës thikë, dhe në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të banesës së babait të tij, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri dhe sasi municioni luftarak”, thotë policia e kryeqytetit.

Ndërkohë materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.