Shërbimi sekret ukrainas: Masakra në Moskë e organizuar nga vetë Putin

Drejtoria kryesore e Inteligjencës e Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës thotë se sulmi terrorist në Moskë është “një provokim i qëllimshëm nga regjimi i Putinit”. Deklarata u bë për gazetën “Ukrainska Pravda” nga zëdhënësi i inteligjencës ushtarake ukrainase, Andriy Yusov.

“Ky është një provokim i qëllimshëm nga shërbimet speciale të Putinit, për të cilin komuniteti ndërkombëtar ishte paralajmëruar. Tirani i Kremlinit e filloi karrierën e tij me një gjë të tillë dhe dëshiron ta përfundojë atë me të njëjtat krime kundër qytetarëve të tij” – tha ai.

Deri tani flitet për 40 të vrarë dhe 100 të plagosur nga sulmi në një sallë koncertesh në Moskë. Sipas informacioneve fillestare, autorët kanë qenë të paktën 4 persona të maskuar që kanë hapur zjarr. Ria Novosti raporton se ndërtesa është përfshirë menjëherë nga zjarri.

Kanalet ruse në Telegram raportuan autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes dhe në kërkim të tyre ka nisur një operacion kërkimi. Në momentin e të shtënave në sallën e koncerteve Crocus mund të ishin deri në 6200 persona, sepse pothuajse të gjitha biletat për koncertin ishin shitur. Edhe presidenca ukrainase e Volodymyr Zelensky tha se nuk kishte “asgjë të bëjë” me sulmin terrorist të mbrëmjes së sotme pranë Moskës.