Kombëtarja dështon në miqësore, Kili ‘leksion’ Shqipërisë, ‘rrëmben’ rezultatin 3-0

Shqipëria u mund në ndeshjen e djeshme miqësore nga Kili me rezultatin 3-0.

Ndeshja u luajt në në “Ennio Tardini” të Parmës. Kombëtarja shqiptare ishte e para që kishte rastin për të shënuar që në minutën e 10-të, por Manaj nuk arriti të shfrytëzojë si duhet një gabim të mbrojtjes së Kilit.

Ishte minuta e 20-të kur Kuqezinjtë e Sylvinhos e pësuan me një goditje të Vargas. Protestat për prekje me dorë të topit nuk u morën parasysh, me arbitrin që e konsideroi të rregullt golin.

Kombëtarja vijoi sërish të rrezikonte portën kundërshtare me Jasir Asanin, gjithsesi goditja e tij nga distanca nuk shqetësoi portierin Bravo. Në minutën 34-t, radhën e kishte Ramadani, por sërish pa rezultat.

Ekipi i Garecas e nisi fuqishëm pjesën e dytë, me shumë dëshirë për gjetjen e golit të dytë. Në minutat e fundit, Sylvinho aktivizoi edhe Brojën, ndërsa debutoi në këtë miqësore edhe Arbër Hoxha.

Shpresat për të marrë qoftë një barazim në këtë takim për përfaqësuesne tonë u shuan përfundimisht në minutën e 84-të, atëherë kur Bolados shënoi për kilianët.

Në fundin e sfidës, një gol i Davilas “vulosi” shifrat në 0-3. Shqipëria, para premierës së Europianit, do të zhvillojë një tjetër miqësore, atë ndaj Suedisë pas pak ditësh në “Friends Arena”.