... Nami.al

Policia hap zjarr ndaj një makine në Tiranë, plagoset një person, ç’ndodhi gjatë natës

Policia e Tiranës ka dhënë detaje për një operacion antidrogë që ka zhvilluar mbrëmjen e kësaj të enjteje në rrugën Mihal Duri, shumë pranë qendrës së kryeqytetit. Në zonën pranë rrugës së Kavajës dhe ish-Lidhjes së Shkrimtarëve policia dhe agjentët e antidrogës kanë tentuar të ndalojnë një makinë tip “Volkswagen Tiguan” me ngjyrë të bardhë ku ndodheshin 3 persona brenda.

Në tentativë për t’u larguar, drejtuesi i ka dhënë indietro makinës dhe duke rrezikuar jetën e 3 agjentëve të policisë duke goditur makinën e tyre. Në këtë situatë, policia thotë se njëri prej efektivëve ka qëlluar me armë duke plagosur njërin nga personat që gjendej në makinë me iniciale E. S..

Ai ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën në spital pasi mësohet se ka marrë një plumb në këmbë. Policia thotë se brenda në automjet është gjetur një pako me peshë rreth 1 kg brenda së cilës dyshohet se ka kokainë.

“Sot më datë 21.03.2024, në vendin e quajtur rruga “Mihal Duri”, gjatë një operacioni policor të strukturës për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, kanë qenë duke kryer veprime operacionale në kuadër të procedimit penal nr. 496 te vitit 2024, veprime të autorizuara nga organi i Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Gjatë momentit që struktura operacionale ka tentuar të ndalojë automjetin tip “Volkswagen Tiguan” me ngjyrë të bardhë me targë AB 780 MP, drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrave të policisë për të ndaluar dhe ka ecur mbrapsht duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë dhe duke përplasur me qëllim shmangien automjetin e shërbimit të policisë.

Gjatë tentativës për t’u larguar një nga punonjësit e policisë ka qëlluar me armë në drejtim të automjetit dhe për pasojë është plagosur shtetasi E. S., i cili është dërguar menjëherë në spitalin e traumës nga punonjësit e policisë dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Në automjet janë konstatuar dhe dy persona të tjerë të cilët janë shoqëruar në ambientet e DVP Tiranë. Në automjet është konstatuar një pako me peshë rreth 1 kg brenda së cilës dyshohet se lende narkotike kokainë.

Janë njoftuar strukturat e AMP-se të cilat do të kryejnë veprimet hetimore nën drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. AMP, pas kryerjes së veprimeve të para në vendngjarje dhe sqarimit të të gjitha rrethanave do të bëjë njoftim të plotë mbi këtë ngjarje” – thuhet në njoftimin e policisë.