Edi Rama: Kush do të kapi ndonjë gjë, të shkojë ku ka vendin. Unë kam vetëm një përgjegjësi

Kryeministri Edi Rama ka shprehur sërish mbështetjen për punën e SPAK-ut, duke ju referuar arrestimeve të zyrtarëve të lartë të vendit.

Kryeministri tha se përgjegjësia e tij në raport me votuesit dhe qytetarët është mbështetja ndaj SPAK që çdo zyrtar i lartë i korruptuar të dalë para drejtësisë.

Rama foli sërish për bashkëpunëtorët e tij, një pjesë e të cilëve janë dënuar, arrestuar apo nën hetim, duke thënë se kushdo që “bën një rrugë e dy punë” dhe del nga misioni i tyre politik, të përballet me drejtësinë.

“Kam vetëm një përgjegjësi, që është përgjegjësia e udhëheqjes së këtij vendi për të dalë njëherë e mirë pa kthim nga një histori e dhimbshme dhe për të ardhur në këtë drejtim.

Çfarë kemi nisur duke i dhënë jetë SPAK-ut të mos ndalet dhe kam përgjegjësi për faktin që më në fund njerëzit që më kanë votuar mua të shikojnë që këtu s’ka të paprekshëm, që kush ndan qëllimet e përbashkëta është i nderuar, kush do të bëjë një rrugë e dy punë që të kapi ndonjë gjë, të shkojë atje ku ka vendin.

Për këtë e kemi bërë SPAK-un. U desh PS dhe unë në krye të saj bashkë me njerëzit e tjerë që në Shiqpëri të ketë figura të larta politike të lidhura me pushtetin, ose jo, që shkojnë përpara drejtësisë si çeçua.

Ne do mbështesim vendosmërisht SPAK-un me çfarëdolloj çmimi. PS ka 100 mijë vetë dhe një ish-ministër, një ish-ministër tjetër që shkojnë përpara drejtësisë, është pjesë e këtij misioni që drejtësia të merret me ta, nuk merrem unë.

Ju të elitës shqiptare keni një problem. Tjetër thoni, tjetër mendoni, dhe ndërkohë keni perceptimin që politikanët janë të gjithë njësoj”, deklaroi kryeministri Edi Rama.

Kryeministri Rama ripërsëriti bindjen e tij se Prokuroria Speciale u ngrit falë vullnetit të Partisë Socialiste.