E qëlloi me plumb në këmbë, detaje nga plagosja e 36-vjeçarit në Shijak: Identifikohet autori

Policia e Shijakut ka dal me një njoftim zyrtar në lidhje me plagosjen e ndodhur në Xhafzotaj mëngjesin e kësaj të premteje.

Uniformat blu bëjnë me dije se i lënduar me armë zjarri ka mbetur një 36-vjeçar, banues në Shijak.

36-vjeçari ka marrë një plumb në këmbë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ai po merr kujdesin e nevojshëm mjekësor në spital, ndërkohë që policia është vënë në kërkim të autorit të dyshuar.

Dyshohet se shkak i plagosjes ka qenë një konflikt për motive banale.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

“Rreth orës 11:15, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, është plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasi E. D.,36 vjeç, banues në Shijak, i cili është në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit, shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes dhe falë veprimeve të shpejta hetimore bënë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar shtetasit A. H., 30 vjeç, banues në Durrës dhe vijon krehja e zonës për kapjen e tij”, thuhet në njoftimin e policisë.