U përjashtua nga seanca për bllokim të foltores, Basha: Zgjedhorja, shkaku i gjitha të këqijave në parlament

Kryetari i PD-së së vulës, Lulzim Basha është larguar nga salla pas përjashtimit nga seanca plenare, nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla, për shkak të bllokimit të foltores. Në fjalën e tij jashtë ambienteve të Kuvendit, Basha tha se në vend që të kalohen ligje në dobi të qytetarëve, në Kuvend kalohen ligje në dobi të oligarkëve.

Basha shtoi se PD ka insistuar që në fillim për një Reformë Zgjedhore në shërbim të qytetarëve, ndaj ka kërkuar lista të hapura. Ai tha se Shqipëria duhet të jetë një zonë zgjedhore, që votat nga Kukësi në Vlorë të jenë njësoj të vlefshme, sikundër duhet të votojë edhe diaspora

“Zgjedhorja është shkaku i gjithë të këqijave, sepse sjell zgjedhje të deformuara, sjell parlamentarë kokëulur, që votojnë ligje, të cilat nuk janë në dobi të qytetarëve, por të oligarkëve. Prandaj, PD ka 2 vite që fokusohet për të pasur një Reformë Zgjedhore korrekte. Listat e hapura janë domosdoshmëri për të prishur paktin e 2008, që ua hoqi të drejtën qytetarëve, që në parlament të shkojë ai individ që duan ata e jo ata që duan kryetarët e partive. Shqipëria duhet të jetë një zonë zgjedhore, që votat nga Kukësi në Vlorë të jenë njësoj të vlefshme, sikundër duhet të votojë edhe diaspora”, tha Basha.