Rama reagon për gjestin ndaj gazetares: Nuk kërkoj falje, ngjarja u manipulua

Kryeministri Edi Rama foli mbrëmjen e sotme për gjestin ndaj gazetares së Syri Tv, Ambrozia Meta që mori vëmendje të shoqatave të mbrojtjes së gazetarëve, por edhe të mediave ndërkombëtare. Rama këmbënguli që nuk do të kërkojë falje duke e akuzuar gazetaren për manipulim të situatës pas një gjesti miqësor.

“Faleminderit që e vure këtë video sepse është ngritur një histori shumë e madhe. Sepse në të shkuarën mund të kem pasur situata që mund të kisha shumë zell për të reaguar flakë për flakë me gazetaret, por prej vitesh jam krejtësisht në qetësi për t’u përgjigjur. Ky është manipulimi më i madh dhe më i neveritshëm që unë kam parë ku stimulohet një manipulim.

I di të gjitha. E kam thënë për disa media të huaja që u hodhën përpjetë që duhet të pyeteshin edhe të tjerët. Ishte një gjest miqësor për t’i rrahur shpatullën teksa unë po largohesha. Gazetarja nuk bëri pyetje, por bëri një konstatim të gabuar, unë nuk kam një ndjesë për të kërkuar. Në këtë rast unë me gazetaren që është prototipi i ndërprerjes së të gjitha përgjigjeve ajo duhet të vihet përballë kolegeve të tyre.

Nuk kam problem me pyetjet unë, unë kam problem me etikën e një komunikimi. Kur pyet duhet të dëgjosh dhe të tjerët të dëgjojnë. Unë nuk jam aty vetëm për ata që pyesin. Jemi të dyja palët për publikun që ai të dëgjojë. Konferenca ka qenë e qetë, por gjesti ka qenë tërësisht miqësor. Edhe ajo rrahja e shpatullave nuk u materializua dot sepse gazetarja reagoi duke simuluar sikur ishte një agresion.

Unë isha aty edhe me gazetarë të tjerë. Askush nuk i pyeti ata. I gjithë stërmadhimi për atë gjest miqësor nuk ndodhi për zgjatje të krahut, por këtu bëhet fjalë për një individ, gazetare që ka manipuluar qëllimisht këtë ngjarje. Mund të telefonoj këdo, por nuk mund të gjykoj aktorë” – tha Rama në emisionin “Opinion”.