“Marrëdhëniet tona, në nivel të lartë”- Daçiç takohet me Lavrov, diskutohet Kosova

“Pavarësisht sfidave të shumta, marrëdhëniet dypalëshe Serbi-Rusi janë në nivel të lartë”- kështu deklaroi ministri i Jashtëm i Serbisë Ivica Daçiç gjatë takimit në Moskë, këtë të enjte, me kryediplomatin rus Sergej Lavrov.

Takimi më shumë se një orë, i cili u zhvillua me dyer të mbyllura, trajtoi një gamë të gjerë bashkëpunimi dypalësh, si në aspektin politik dhe atë ekonomik.

Daçiç dhe Lavrov biseduan për situatën në Kosovë, zhvillimet në Ballkan dhe çështjet aktuale ndërkombëtare, shkruan Tanjug.

“Vitin e kaluar shënuam 185 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Ato karakterizohen nga miqësia dhe kultura tradicionale dhe bazohen në besimin e ndërsjellë dhe bashkëpunimin strategjik,” tha Daçiç.

Ministri i Jashtëm serb tha se marrëdhëniet personale mes dy presidentëve, Aleksandër Vuçiç dhe Vladimir Putin, kanë një rol të veçantë në zhvillimin e bashkëpunimit.

“Jam i sigurt se marrëdhëniet dypalëshe do t’i ruajmë me përpjekje të ndërsjella,” tha Daçiç.

Ai shtoi se marrëdhëniet ekonomike me Rusinë janë jashtëzakonisht të rëndësishme për Serbinë, veçanërisht në sektorin e energjisë. Daçiç vuri në dukje se, me iniciativën e presidentëve të tyre, të dy vendet kishin një marrëveshje energjetike deri në vitin 2025.

“Ne i jemi shumë mirënjohës Rusisë për mbështetjen që po na jep kur bëhet fjalë për integritetin tonë territorial. Është shumë domethënëse për ne dhe dua t’ju falënderoj personalisht për mirëkuptimin dhe mbështetjen e madhe në të gjitha situatat ku ju jemi drejtuar për ndihmë”, i tha Daçiç Lavrovit.

“Politika e standardeve të dyfishta në Ballkanin Perëndimor është pikërisht ajo që ka çuar në cenimin e integritetit tonë territorial”, shtoi Daçiç.

Ai falënderoi Moskën që kërkoi një seancë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për 25-vjetorin e sulmit të NATO-s në Beograd.

Lavrov vuri në dukje se Moska i vlerëson shumë marrëdhëniet me Beogradin.

“Ne jemi shumë të kënaqur me progresin sa i përket tregtisë dhe investimeve”, tha ai.

Lavrov tha gjithashtu se bashkëpunimi në OKB ishte veçanërisht i vlefshëm kur bëhet fjalë për pozicionet që Perëndimi nuk dëshironte të dëgjonte.