Kriset marrëdhënia me PS? Këshilltarët e PSD largohen nga mbledhja e këshillit bashkiak në Shkodër

Mbledhja e fundit e këshillit në bashkinë e Shkodrës, dështoi për mungesë kuoromi pas largimit të këshilltarëve të Partisë Socialdemokrate të Tom Doshit.

Ky veprim ngre dyshime për krisjen e marrëdhënieve mes Partisë Socialiste dhe Socialdemokratëve të Tom Doshit Në fjalën e tij para anëtarëve të këshillit, kryetari i grupit të këshilltarëve të PSD-së, Gjek Sokoli, përmendi mungesën e punësimeve në administratën e bashkisë nga Benet Beci, edhe pse e mbështeti këtë të fundit për punët që po kryhen në qytet.

“Ne jemi ata që kemi sjellë kryetarin e bashkisë në drejtim. Pa ua them në emër të grupit se ne nuk jemi penduar se ndryshimi për Shkodrën po bëhet”, tha ai.

Këshilltarët e PSD-së kanë qëndruar në sallë për miratimin e ndihmës ekonomike dhe të paaftësisë dhe janë larguar më pas nga salla e këshillit bashkiak duke sjellë edhe mbylljen e mbledhjes.