A po jep Sazanin të rregullojë raportet me Trump/ Rama: E vërteta është ndryshe

Kryeministri Edi Rama ka dhënë versionin e tij për atë që po ndodh me Sazanin. Rama hodhi poshtë pretendimet se po e jep Sazanin që të rregullojë marrëdhëniet me Trump.

“Unë kam një të mirë që është dhe e keqe. Varet si e sheh. Unë them atë që mendoj dhe mendoj atë që them. Kam thënë atë që mendoja në atë kohë, kur kandidati në atë kohë u bë president festuan të gjithë këta, se këtë këtu thanë do na e heqë ai atje. Në fakt gjërat rrodhën krejt ndryshe. Unë nuk kam asnjë raport për të ndërtuar sepse marrëdhëniet me të i kam shumë të mira” – tha Rama që foli edhe njohjen me dhëndrin e Trump.

“Dhëndrin e Trump unë e kam njohur rastësisht. Ai erdhi bashkë me gruan e tij për të vizituar vendin tonë me një jaht. Ai që është pronari i jahtit më ftoi kur erdhën për t’u furnizuar. U takuam dhe kishte njerëz të tjerë dhe më pas jemi takuar disa herë” – tha Rama në “Opinion” që tregoi edhe si lindi ideja.

“Ka ardhur ky grup që ka në krye dhëndrin e ish-Presidentit Trump. Unë nuk kam hyrë tek fondet dhe grupet. Ne nuk kemi akoma një projekt për Zvërnecin, por kemi një projekt të dorëzuar për Sazanin. Për të bërë një investim që ta transformojë Sazanin në atë që ka qenë dëshira e të gjithë kryeministrave para meje. Ka pasur disa kërkesa më parë që ne i kemi refuzuar sepse nuk kanë qenë në përputhje me atë që ne kemi në mendje.

Ata duan të bëjnë një destinacion turistik i cili të jetë i një nivelit më të lartë të harmonizimit mes natyrës dhe njeriut dhe që të sjellë konsumatorët më të lartë të turizmit në botë. Që nga njëra anë e vë Shqipërinë në krye të vendeve që kanë të tilla adresa dhe që sjell më shumë të ardhura për shqiptarët. Formula? Këtu bëhet fjalë për të sjellë turizmin e nivelit më të lartë që ndryshe nga turizmi masiv nuk ndot, është turizmi që me një turist sjell të ardhura sa të gjithë ata që vijë me çantë.

Ne kemi diskutuar për vizionin, jo për detaje. Kemi folur cili është vizioni ynë për Sazanin. Kemi pasur dhe kërkesa të tjera që e bënin atë që një destinacion urban, por ne nuk i kemi pranuar. Ata kanë bërë një shprehje interesi për Sazanin në Agjencinë e Mjedisit dhe do të kalojë në të gjitha filtrat” – tha Rama që iu përgjigj edhe akuzave të opozitës.

“Investitorët nuk vijnë për interesin publik, ata vijnë për interesin e tyre. Interesin publik e mbron qeveria. Unë nuk pranoj leksione nga ata që kur e kanë pasur në dorë nuk kanë mbrojtur interesin publik. Ndryshe nga ç’ndodhte përpara kur thuhej “Shqipëria 1 euro” që është një formulë që funksionon, por me atë që u bënë ato që u bënë” – tha Rama.