Ekzekutimi i Ardian Nikulajt/ Saraiva paraqitet në Gjykatë, kërkon ndryshimin e masës së sigurisë

Nën masa të rrepta sigurie, portugezi Ruben Saraiva është paraqitur sërish sot në Gjykatën e Lezhës, ku do te shqyrtohet kërkesa e tij për ndryshim të masës së sigurisë. Seancën e mëparshme, avokati i portugezit tha se prokuroria nuk ka prova për përfshirjen e klientit të tij në atentat.

28-vjeçari akuzohet për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj me 19 prill të vitit 2023 në Shëngjin. Saraiva u ekstradua në Shqipëri në 31 dhjetor të vitit 2023, pasi gjykata e Marokut, ku ndodhej Saraiva, pranoi kërkesën e shtetit shqiptar për ekstradimin e portugezit.

Prej asaj kohe Ruben Saraiva qëndron në paraburgimin e Tiranës, në pritje të hetimeve për vrasjen e 19 prillit të vitit të shkuar ku mbeti i vdekur Ardian Nikulaj në lokalin e tij në Shëngjin. Saraiva deklaroi se nuk ka lidhje me vrasjen e biznesmenit Nikulaj dhe se në atë kohë gjendje në Shqipëri për pushime.

Për këtë ekzekutim, dyshohet se porositës është Edmond Haxhia, për të cilin autoritetet shqiptare kanë bërë një kërkesë ekstradimi në Britaninë e Madhe, por ende nuk ka një vendim. Vrasja e Nikulajt lidhet me një zinxhir hakmarrjesh që përfshijnë dy fise dhe që ka prodhuar shumë viktima.