“Lagjja e dëshmorëve” në harresë, mbi 150 familje pa rrugë prej 25 vjetësh

Ndodhemi në lagjen Topana në qytetin e Vlorës, në fakt një lagje periferike por mjaft e frekuentuar si nga automjete edhe këmbësorët.

Jetojnë rreth 150 familje por rruga është tërësisht e paaksesueshme, ndërkohë që banorët e zonës shprehen se kjo rrugë është në këtë gjendje prej më tepër se 25 vitesh.

Edhe pse projektet infrastrukturore në Vlorë për rigjallërimin e vijës bregdetare vijojnë prej vitesh, rrugët e lagjeve të qytetit ndodhen në gjendje të mjerueshme dhe janë lënë pas dore nga pushteti lokal. Vetë banorët tregojnë se investimet në këtë zonë të qytetit mungojnë prej dekadash.

“Kjo rrugë këtu kemi 25 vjet, sa rregullojmë andej prishet këtej”, thotë një banor.

“Problemi është i dukshëm, ja shikoje gropën këtu, pa diskutim që është problem, kështu ka një jetë”, shprehet një tjetër.

Edhe pse është një ndër lagjet më të vjetra të qytetit, projekti për rehabilitimin e kësaj zonë ende nuk ka marrë jetë.

Euronews Albania tentoi disa herë për të marrë një përgjigje nga bashkia se kur do të nisë rehabilitimi i lagjes “Topana”, por nuk pranuan të prononcohen, duke theksuar se në buxhetin e këtij viti nuk është përcaktuar investim për rregullimin e kësaj zone.