Qëlloi me armë drejt një banese dhe vrau qenin, arrestohet pas 4 vitesh 33-vjeçari

Një 33-vjeçar në Shkodër i shpallur në kërkim që prej 2020 është arrestuar në kuadër të operacionit sundimi i ligjit. Sipas informacionit të ardhur nga policia para katër vitesh ai ka qëlluar me armë zjarri drejt banesës së N.M., si pasojë e të shtënave është vrarë qeni i shtëpisë i cili ndodhej në oborr.

33 vjeçari N.K. tashmë i arrestuar ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Apelit e Shkodrës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Kanosja”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Vrasja me dashje e kafshës së shoqërimit”.

Njoftimi i policisë

Në zbatim të planit të masave të hartuara në kuadër të megaoperacionit kombëtar “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim dhe për goditjen e veprimtarive kriminale të ndryshme, shërbimet e Seksionit Operacional të DVP Shkodër, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, lokalizuan, kapën dhe vunë në pranga shtetasin N. K., 33 vjeç.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Apelit e Shkodrës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Kanosja”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Vrasja me dashje e kafshës së shoqërimit”.

Nga hetimet dyshohet se më datë 08.01.2020, shtetasi N. K. ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të banesës së shtetasit N. M. Si pasojë, është vrarë kafsha shtëpiake (qen) që ishte në oborrin e banesës së shtetasit N. M..

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.