“Përgatitje për rezistencë”, shfaqet një organizatë e re në veri të Kosovës, udhëzon serbët si t’i kundërvihen policisë

Disa fletushka të një organizate të re “Mbrojtja Popullore” janë shpërndarë të hënën në komunat veriore të Kosovës, në të cilat janë dhënë udhëzime për “t’iu kundërvyer policisë së Kosovës dhe administratës komunale”.

Shpërndarjen e këtyre fletushkave e ka konfirmuar edhe kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Uglanin në “Interaktiv” të KTV-së.

“Informata nga terreni është që sonte ka dalë një organizatë e re ‘Mbrojtja Popullore’ të cilët kanë shpërndarë fletushka që të përgjigjen kundër policisë dhe kundër administratës komunale përmes koktejeve molotov, gurëve dhe gjërave të tjera”, ka thënë ai.

Në fletushka udhëzohen serbët që t’i gjuajnë me gjësende policët e Kosovës, përfshirë edhe me kokteje molotovi. Po ashtu udhëzohen edhe si të goditen me shuplakë shërbyesit komunal.

Ndër udhëzimet në këto fletushka janë edhe si të thyhen veturat e policisë “më lehtë” e po ashtu edhe ka udhëzime se si “të bëhet kokteji i molotovit”.