Fshehu pasurinë/ Apeli i Posaçëm lë në fuqi vendimin për ish-kreun e Gjykatës Kushtetuese

Apeli i Posaçëm ka lënë në fuqi vendimin e GJKKO për ish-kreun e Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja. Ai akuzohet për fshehje pasurie pas hetimeve të kryera nga SPAK. Prokuroria e Posaçme kishte kërkuar 1 vit burg për të, por ishte GJKKO që mori vendim për dënimin e tij me shërbim prove. Ai ankimoi këtë vendim në Apelin e Posaçëm, por kjo e fundit ditën e sotme e rrëzoi ankimimin e bërë duke lënë në fuqi dënimin e tij me shërbim prove.

Dedja dyshohet se ka bërë deklarim të rremë për një apartament në Tiranë si dhe ka fshehur deklarimin për një apartament në Golem të Kavajës.

Njoftimi për mediat:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Saida Dollani (kryesuese), Nertina Kosova (anëtare) dhe Miliana Muça (anëtare), sot më datë 13.02.2024, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 6/63 akti, datë 06.12.2023 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga ankuesi/i pandehuri Bashkim Dedja, kundër vendimit nr. 43, datë 26.06.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ka vendosur:

1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Bashkim Dedja, për kryerjen e veprës penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a, paragrafi i dytë i K.Penal dhe në bazë të kësaj dispozite, dënimin e tij me 6 (gjashtë) muaj burgim.
2. Në aplikim të nenit 59 të Kodit Penal pezullimin e ekzekutimit të vendimit me burgim për të pandehurin B.D., për një periudhë kohore prej 1 (një) vit, me kusht që gjatë kohës së provës i pandehuri të mbajë kontakte me shërbimin e provës të vendbanimit të tij, si dhe të mos kryejë vepër penale tjetër.
3. Në mbështetje të neneve 393 dhe 485/3 të K.Pr.Penale shpenzimet gjyqësore sipas formularit bashkëlidhur të paguhen nga i pandehuri…

Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:

Lënien në fuqi të vendimit nr. 43, datë 26.06.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.