
...
Kalimi një sistemi zgjedhor me prim i ngjashëm me atë që ka Greqia, nuk përjashtohet nga socialistët teksa puna e Komisionit të Reformës Zgjedhore është ende në një ngërç.
Kreu i Grupit Parlamentar, Bledi Çuçi, gjatë një interviste në Abc News për Sokol Ballën ka lënë të hapur mundësinë për të shkuar drejt një sistemi të tillë.
“Sistemi me prim nuk është qasje pragmatike e PS, por një nevojë që Shqipëria duhet të ketë për stabilitet qeverisës. Ne jemi gati të miratojmë një formulë të vlefshme për zgjedhjet e radhës. Kjo bëhet edhe në limitet e kohës, nuk është që do ndryshojë sistemi”, ka thënë Çuçi.
Prej kohësh përflitet se nga pazari i radhës Rama-Basha, të shkohet drejt një sistemi elektoral me prim. Kjo favorizon më së shumti PS-në ndërsa Lulzim Basha merr në këmbim kthimin e Shqipërisë në një zonë të vetme zgjedhore dhe në këtë formë garanton së paku mbijetesën në politikë. Megjithatë kjo mbetet për t’u parë në javët e muajt e ardhshëm se çfarë do të prodhojë Komisioni i Reformës Zgjedhore.