... Nami.al

Zjarr në urgjencën e re të QSUT, evakuohen të sëmurët

Zjarri ka përfshirë ambientet e reja të urgjencës në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.

Ndërsa shkaqet e zjarrit janë ende të paqarta, në vendngjarje kanë shkuar zjarrfikëset, duke arritur të vënë nën kontroll flakët.

Të sëmurët që ndodheshin në këtë urgjencë po transportohen me ambulanca pranë spitalit të Sanatoriumit në Sauk.

“Më datë 11.02.2024, rreth orës 05:30, në Rrugën e Dibrës, dyshohet se si pasojë e një shkëndije, ka rënë zjarr në katin -1, te urgjenca e re.

Shërbimet e Policisë në bashkëpunim me forcat zjarrfikëse, menjëherë kanë bërë evakuimin e stafit mjekësor dhe pacientëve. Zjarri është fikur dhe si pasojë e tij nuk ka persona të dëmtuar”, bën me dije policia.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Reagimi i Ministrisë së Shëndetësisë:

Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme në katin -1 të godinës së QSUT është raportuar tym.

Menjëherë janë marrë masat për sigurimin e pacientëve të shtruar dhe situata u vu nën kontroll në një kohë rekord dhe shkaqet e tymit po hetohen.

Situata është në monitorim të vazhdueshëm dhe pacientët janë të gjithë jashtë rrezikut për jetën, falë anagazhimit të personelit mjekesor dhe atij zjarrefikës.

Çdo gjë është nën kontroll dhe gjendja paraqitet e qetë.